Kukësi ka gjetur njeriun-gol, Romeo Hamzajin
Sulmuesi që realizoi tri here ndaj Gramshin, premton të shënojë edhe në javët në vijim. Me Malon përbën një dyshe të frikshme
Fitorja bindëse me Gramshin i ka kënaqur drejtuesit e Kukësit jo vetëm për golat, por edhe mënyrën e lojës. Kuksianët po tregojnë ambiciet e tyre edhe fazën e dytë, edhe pse kanë pasur ngjeshje ndeshjesh dhe përballje me rivalë si Besa dhe Luftëtari. Trajneri Shahin Berberi është entuziast për paraqitjen e skuadrës, por edhe për faktin që sulmuesi Romeo Hamzai, i ardhur gjatë merkatos së janarit, tregoi vlerat e tij ndaj Gramshit.
Ai po e përgatit grupin për sfidën e radhës, atë në transfertë me Gramozin. Me Gramshin e bëmë mirë detyrën. Më vjen mirë që skuadra realizoi një fitore bindëse, madje rezultati mund të kishte qenë më i thellë. Tashmë ne vazhdojmë dhe mendojmë për ndeshjen e radhës, konkretisht synojmë fitoren edhe në Ersekë. Sigurisht që më vjen mirë që e gjithë skuadra funksionoi dhe që sulmuesi Hamzaji u zhbllokua. Tashmë jemi në vend të dytë me meritë të plotë dhe duhet ta ruajmë ritmin, – pohoi trajneri i kuksianëve, Berberi.
Sulmuesi Hamzaj Sulmuesi Romeo Hamzai ishte njeriu i ndeshjes me tripletën që realizoi, por ai e ndan suksesin me të gjithë skuadrën. Në radhë të parë, falënderoj trajnerin Berberi, stafin dhe të gjithë drejtuesit që më kanë dhënë besimin, por edhe tifozët. Ky është vetëm fillimi im. Unë jam mësuar të shënoj, pasi edhe në superligë kam luajtur me skuadra të njohura, si Partizani, Besa, Teuta, Bylisi e Tomori, dhe e kam treguar veten. Falënderoj edhe skuadrën dhe shpresoj që të mos e lëshojmë më vendin e dytë, pasi jemi këtu falë djersës sonë,- theksoi mes të tjerash autori i tre golave në sfidën me grasmhiotët, sulmuesi Hamzaj.
