Toshkëzi: Lushnja të bindë veten për vlerat që ka
Specialisti dhe ish-trajneri Alberto Toshkëzi kritikon skuadrën për paraqitjen në Lezhë, por beson për kthesën në ndeshjen me kryesuesit
Skuadra e Lushnjës ka lënë pas humbjen e javës së 20-të në transfertën e Lezhës dhe është përqendruar te ndeshja me Luftëtarin kryesues. Ka dy ditë që trajneri Saimir Malko ka nisur punën me djemtë e tij për këtë ndeshje të rëndësishme, ku do të kërkohet medoemos fitorja.
Humbja e fundit ka pasur kosto të madhe për verdhejeshilët, jo vetëm në aspektin psikologjik, por edhe në renditje, ku ka një ngjeshje të pretendentëve për në superligë. Nga hapi i gabuar i Lushnjës kanë përfituar Kukësi, Besa, por edhe vetë Besëlidhja. Opinioni futbolldashës lushnjar është shumë i zhgënjyer nga kjo humbje, pasi priste të shihte një skuadër më të motivuar në fushë.
Toshkëzi Specialistët e futbollit në qytet, ashtu si dhe tifozët lushnjarë, mbetën të pikëlluar, kur panë në fushë një Lushnjë, që nuk kishte forcë të reagonte. E ndoqa ndeshjen dhe nuk pashë atë Lushnjë, që të gjithë ne të vjetrit donin të shihnim.
Skuadra ishte e plogësht dhe nuk pati forcën dhe vendosmërinë që kishin lezhjanët. Besëlidhja ishte një skuadër e mirorganizuar, që luajti një futboll më të mirë se Lushnja. Mbetet që stafi teknik, drejtuesit dhe futbollistët të marrin masat këto ditë, pasi i pret një ndeshje mjaft e fortë me kryesuesit e tabelës.
Duhet fitore pas fitoreje deri në fund, që ta shohim Lushnjën në elitën e futbollit shqiptar, ashtu si na e ka ënda të gjithëve. Them që të gjithë ata tifozë që e mbështetën skuadrën në Lezhë, u zhgënjyen, por dua ti siguroj se skuadra do të dijë të bëjë kthesën, duke fituar me gjirokastritët. Nëse mobilizohen dhe kanë besim në vetvete, futbollistët do të diktojnë në fushë. Kjo ndeshje nuk ka dallim nga fakti se luhet me kryesuesit.
Lushnja duhet të bindë veten se ka stofin e një skuadre që meriton superligën, – ka thënë një nga specialistët e futbollit lushnjar, ish-trajneri Alberto Toshkëzi, duke iu referuar kampit lushnjar.
