Ramazan Cani: Si mbrohej hapësira ajrore e Shqipërisë
Flet ikona e shërbimit Radiolokativ në Shqipëri
Nga Luan Shtëpani
Ikona e shërbimit Radiolokativ në Shqipëri Ramazan Cani flet për herë të parë. Ai tregon kontributin në sistem dhe roli i tij në përgatitjen e kuadrove, dhe se si mbrohej hapësira ajrore e Shqipërisë.
Z. Cani para 1990-ës si ruhej hapësira ajrore e Shqipërisë?
Mbas përfundimit të studimeve në ish Bashkimin Sovjetik u ktheva në Shqipëri, ku më caktuan shef të laboratorit qendror të Radiolokacionit. Teknikët para se unë të merrja detyrën drejtoheshin nga një inxhinier sovjetik, i cili vrau veten sepse nuk donte të zbatonte direktivat që i dhanë autoritetet ruse për tiu shmangur detyrës. Me urdhër të ministrit të Mbrojtjes u caktova shef ku nuk më lejuan të shkoja në Elbasan të shikoja familjen, sepse duhet të merrja menjëherë detyrën, pas vetëvrasjes së inxhinierit sovjetik. Vazhdova detyrën për riparimin e aparaturave që ishin në atë kohë dhe pas 10 ditësh kam shkuar në Elbasan, tek familja ime. Në punë, kam patur të gjithë tipat e radiolokatorëve për të riparuar, pa përjashtuar dhe stacionet e drejtimit të zjarrit dhe aparatet e drejtimit. Gjatë kësaj periudhe unë drejtoja laboratorin , ku ishin grumbulluar dhe inxhinierë të tjerë ku kishte dhe nga ata që kishin mbaruar ne ish BRSS. Po me urdhër të ministrit të Mbrojtjes kam marrë në punë dhe një inxhinier civil. U riparuan të gjithë aparaturat që ishin në dispozicion të forcave ajrore. Jam marrë me riparimin e stacioneve Radar të avionëve Mig 19 dhe 19 (PM) të cilët ishin të ndërlikuar, por mbasi mbaruam një pjesë të tyre, avionët u morën nga kinezët të cilët sollën Mig 21, me pas..
Gjatë kohës që isha me detyrën e kryeinxhinierit të Regjimentit Radioteknik, në bazë të kalkulimeve dhe përllogaritjeve të hartës së mbulimit të sistemit radiolokativ, kam vendosur radarët në vendet e caktuara dhe të mundshme për një zbulim tërësor si brenda territorit të Shqipërisë, por dhe jashtë tij. Kam ngritur postën radioteknike të Shkodrës, të Durrësit ( më parë ka qenë në Sauqet të Tiranës), të Çervenakës, dhe në të gjitha kam dërguar kuadro të përgatitur në mënyrë që të mbulohej e gjithë puna si nga ana teknike dhe nga ana operative.
Si veprohej konkretisht pas marrjes së sinjalit të shkeljes ajrore?
Po ju tregoj një ngjarje. Ka qenë viti 1972. Isha oficer drejtimin në Vendkomandën Qendrore në Sauk të Tiranës. Në këtë kohë marr sinjalin që mbi territorin e Shqipërisë ishte futur një avion sovjetik i transportit i cili ishte ngritur nga Kajro dhe do të ulej në Budapest. Piloti kishte ngatërruar itinerarin. U njoftova dhe mora masat e nevojshme, për ngritjen e avionëve të ndjekjes. Mbi Ulëz avioni ynë e kapi avionin rus, ndërsa nga Kuçova u ngrit një tjetër avion. Pritej urdhri nga ana ime për asgjësimin e avionit rus. Në këtë kohë, komunikoj me Ministrin e Mbrojtjes dhe me titullarë të tjerë ku më urdhëruan të mos hapej zjarr, por të shoqërohej avioni deri në kalimin e kufirit.
A ka patur dështime sistemi ynë radiolokativ?
Jo. Përkundrazi ka qenë më i përgatituri, për arsye se në këtë sistem punuan mjaft inxhiniere të cilët kryen studimet në BS, por dhe në universitetin tonë. Ato ishin të përkushtuar, ku i jepnin rëndësi si përgatitjes nga ana teknike, po ashtu dhe nga ana taktike të zbulimit radiolokativ të territorit tonë. Në detyrat e mija ka qenë dhe zbulimi bregdetar, për të cilën jam angazhuar në shumë raste, sidomos në Pashaliman për radarët e nëndetëseve tona më mënyrë që të bëhej zbulimi i plotë. Jam marrë me riparimin e tyre.
Si superspecialist i fushës, përse duhet të ndodhte kaq shpejt eliminimi i postave radiolokative?
I gjithë territori i Republikës së Shqipërisë mbulohej nga postat radioteknike që ishin në varësi të Regjimentit Radioteknik .Ishin 12 posta radioteknike, të cilat mbulonin hapësirën ajrore të Shqipërisë dhe më tej. I gjithë zbulimi drejtohej nga Vendkomanda e MKA. Por, për fat të keq këto posta teknike pas 1990-ës filluan të shkatërrohen. Aktualisht kemi dy posta, një në Shkodër dhe një në Porto Romano në Durrës të cilat përdoren për të vrojtuar hapësirën ajrore për raste të veçanta. Me hapësirën tonë ajrore merren forcat e zbulimit të NATO-s. Në 2006-ën shkova në Rusi. Në akademinë ku kisha kryer studimet, u informova se kishte përmirësime të mëdha në sistemin radiolokativ. Aparaturat me llampa ishin zëvendësuar me transistorë dhe me qarqe të integruar me të cilat mund të bëhej dhe një zbulim sa më i saktë. Por si anë konstruktive ato ekzistonin në Rusi.
Keni përgatitur shumë kuadro të ushtrisë, tashmë në ekonominë e tregut ato që nuk janë më nën uniformë sipas informacioneve që keni si janë integruar?
Detyra e ish shefit të Katedrës së Radiolokacionit në shkollën e bashkuar të oficerave, ishte një detyrim sa profesional aq dhe njerëzor. Nuk do të mund ti realizoja objektivat që i kisha vënë vetes pa ndihmën e kolegëve. Katedra bënte pjesë në Fakultetin e Artilerisë të Shkollës së Bashkuar. Në katedër punonin me përkushtim dhe profesionalizëm inxhinierë të përgatitur dhe të përzgjedhur. Pas viteve 1990 një pjesë e kuadrove u larguan nga ushtria. Ata punojnë sot si inxhinierë,teknike ku një pjesë e tyre kanë hapur aktivitetin e tyre për riparimin e RTV, një pjesë merren me teknikën e stacioneve të përhapjes së valëve (te kompanitë celulare).
Katedra e Radiolokacionit, Shkolla e Bashkuar
Shef Katedre ing. Ramazan Cani. Kjo katedër kishte një efektiv prej 10 pedagogësh dhe 2-3 të jashtëm (me ngarkesë të reduktuar), të gjithë inxhinierë elektrikë apo elektronikë . Ramazani si shef katedre qëndroi për një kohë të gjatë në këtë detyrë. Kjo katedër në të gjitha kontrollet që bënte Fakulteti apo Ministria dilte më rezultate të mira, madje dallohej nga të tjerat. Kjo rregullsi i dedikohej aftësive dhe seriozitetit të trupit pedagogjik, por edhe aftësive të Ramazanit. Ngarkesa mësimore kontrollet e katedrës, shënimet në regjistrat, programet e punës studimore e shkencore, kualifikimi pasuniversitar i pedagogëve, leksionet, punët laboratorike, mësimet praktike në terren, dilnin gjithnjë të realizuara më së miri. Ing. Ramazan Cani respektohet dhe nderohet nga bashkëkohësit dhe kolegët e tij për dije të gjëra në fushën e radiolokacionit dhe kontribut të spikatur në përgatitjen e oficerëve. Po ashtu dhe të kuadrove në Universitetin Politeknik të Tiranës sepse është një nga themeluesit e Elektronikës. Jeta e tij akademikë vazhdon dhe sot gjë që tregon se njerëz të superformuar thyejnë dhe barrierat e moshës. Mirënjohje për të gjithë ata që kontribuuan dhe kontribuojnë në Radiolokacion, homazh për të gjithë ata që nuk jetojnë.
Cani, sportist i talentuar
Ndërmjet të tjerave, z. Cani tregon se ka qenë dhe sportist. Sipas tij, në Shkollën e Mesme të Përgjithshme Ushtarake Skënderbej ishte mbrojtës i skuadrës së futbollit. Këtë skuadër e kishte shumë përzemër e gjithë Ministria e Mbrojtjes. Në qershor të