E Diel, 1 Nëntor 2026

Ramiz Alia: Dolëm nga Traktati i Varshavës nga frika e një sulmi rus

TIRANE-Në pjesën e dytë të intervistës së pabotuar të Ramiz Alisë me Januz Januzajn, hidhet dritë mbi marrëdhëniet e tij me Enver Hoxhën dhe mendimin që ai kishte për Ahmet Zogun, Gjergj Fishtën, Ndre Mjedën dhe Fan Nolin. Intervista e botuar nga "Toena" nën titullin "Shqipëria ime, Unë dhe Ramiz Alia" sjell një bisedë të çlirët mbi Shqipërinë e 50 viteve, rrëfyer përmes ngjarjeve kryesore. Nuk mungojnë kritikat ndaj vetes, Mehmet Shehut, por edhe ndaj sistemit komunist në tërësi.
J:J:Pse u mbyllëm pas prishjes me kinezët? Sepse askush se deshi më Shqipërinë nga frika e rusëve.
R. A.: - Ka qenë në vitin 1963... e...
J. J.: - Mund të ketë qenë në vitin 1962...
R. A.: - Dy ose tre.
J. J.: - E kam harruar vitin. Dalja prej Paktit të Varshavës, po dua edhe njëherë ti kthehem, a ka qenë reagim parimor, internacional i juaji, apo e keni pritur rastin e parë? Sikur thonë, si deveja që është rrezuar nga një lëkurë lepuri.
R. A.: - Jo, nuk e donim. Ne nuk e donim daljen nga Traktati i Varshavës. Një nga ato momentet e këqija me Traktatin e Varshavës ishte Konferenca e Moskës.
J. J.: - Por Konferenca e Moskës ka qenë shtatë vjet përpara...
R. A.: - Më 1960-1962 momente të këqija, pse? Tërë vendet e Traktatit të Varshavës u vunë kundër nesh. Në atë kohë, në atë mbledhje, megjithatë, ne nuk u larguam nga Traktati i Varshavës, hymë në konflikt me Rusët, hoqëm edhe nëndetëset, atë bazën e tyre në Vlorë, e tjerë, e të tjerë. Por nga Traktati i Varshavës nuk hoqëm dorë. Natyrisht ndenjëm pak mënjanë, merrnim pjesë rrallë nëpër mbledhje etj. Nga Traktati i Varshavës ne jemi larguar më 1968, kur ai ndërhyri në Çekosllovaki për ta rrëzuar Dubçekun, në qoftë se e ke parasysh. Domethënë, ushtria ruse, nën flamurin a Traktatit të Varshavës, ndërhyrja e Bashkimit Sovjetik në Çekosllovaki me 1968, në zbatim të "parimit internacionalist të solidaritetit vëllazëror të proletariatit", hyri dhe e rrëzoi Dubçekun. Aleksandër Dubçek, udhëheqës çek, u mbajt në Bashkimin Sovjetik, e kishte parullën "socializmi me fytyre njeriu".
Atë ditë, po deshe të të tregoj me hollësi, unë isha me pushime në Vlorë. Ka qenë muaji gusht i vitit 1968. Me pushime ka qenë edhe Enveri, po ashtu në Vlorë, në një vilë tjetër dhe unë. Në mëngjes e kisha zakon, e kam pasur zakon, vazhdon ky zakon edhe sot e kësaj dite, domethënë, sa hap sytë hap televizorin ose radion, radion për të dëgjuar lajmet, radion italiane në Vlorë, pra dëgjoj radio Romën që lajmëronte se trupat sovjetike hynë në Pragë. U ngrita shpejt e shpejt, mund të ketë qenë diku ora shtatë e mëngjesit. Vishem, dal shpejt në vendin ku isha unë, dhe shkoj në atë shtëpinë ku ishte Enveri, dhe e gjej Enverin jashtë, kështu siç jemi, aty në oborrin e vilës se tij i thashë mirëmëngjesi, mirëmëngjesi ma ktheu. Dhe i drejtohem: "I dëgjove lajmet?". "I dëgjova, - ma ktheu, -po s'ka ndonjë gjë..." "Ke dëgjuar kështu, kështu, për një futje të ushtrisë ruse..." "Jo, - tha - nuk kam dëgjuar, pse, çfarë ka?" I thashë: "Kështu ushtria ruse në Çekosllovaki.
Kërkoi radion, radio të vogël dore, thirri menjëherë oficerin e tij dhe i kërkoi radion, dhe filloi muhabetin ai, kështu, fjala e parë: e çoi menjëherë diku dhe e dëgjoi edhe ai lajm e mbaj mend si sot: "Mirë jam, - tha, - të nisemi menjëherë për në Tiranë, sepse duhet të bisedojmë me shokët. Ajo që po i ndodh Pragës, nesër mund t'i ndodhë edhe Tiranës. Sovjetikët, atë po bëjnë në Pragë mund ta bëjnë edhe në Tiranë. Duhet të mblidhemi me Byronë Politike, duhet të diskutojmë çfarë duhet të bëjmë. Ne duhet ta denoncojmë Traktatin e Varshavës". Domethënë, ky ishte mendimi i tij. Shkuam në Tiranë. U mblodh Byroja Politike. Atë ditë që shkuam ne i thirrëm edhe këta, bile, në Durrës ishin me pushime, Mehmeti, Hysniu e të tjerë. U bë mbledhja dhe u vendos që të tërhiqemi nga Traktati i Varshavës. Domethënë jemi tërhequr pas kësaj, pas pushtimit të Çekosllovakisë. U tërhoqëm 'de fakto', si të thuash. Pra, shkuam në Tiranë, u mblodh Byroja Politike, u diskutua dhe u mor vendimi që dihet. Pra, nuk ishte ndonjë gjë e ditur, ndonjë gjë e parapërgatitur, e paramenduar.
Ishte një reaksion ndaj veprimit që morën rusët në atë kohë. Natyrisht, që me Traktatin e Varshavës ishim prishur, nuk kishim marrëdhënie me ta që nga viti 1962. I fundit në një mbledhje të Traktatit të Varshavës kam qenë unë, dhe që atëherë nuk kemi qenë më atje. Por, vendimi është marrë në lidhje me këtë çështje ne gusht. Kjo ishte çështja.
J. J.: - Pra, del se, kryekëput për atë ndërhyrje ishte?
R. A.: - Për atë ndërhyrje ishte.
J. J.: - Po. Kohë vendimtare......
R. A.: - Jo, edhe ne në atë kohë e mendonim se mund të ndodhte kjo. Natyrisht, ky pozicioni ynë ishte një pozicion, unë e quaj patriotik, dhe dua të theksoj. Veprimet e Enver Hoxhës, dhe dua t'ia dedikoj atij në qëndrimet e tij qoftë ndaj Jugosllavisë apo BRSS-së, në fjalimin e tij në Moskë, çdo njeri që e lexon do të shohë se ka pak marksizëm dhe shumë patriotizëm....
J. J.: - Si ka kaluar vizita e Hrushovit më 1959 në Shqipëri?
R. A.: - Shiko, kur erdhi Hrushovi këtu me 1959, ju mbase e keni dëgjuar, ditën e parë, sapo erdhi, tha: "Unë, gjatë dhjetë ditëve të ardhshme që do të jem në Shqipëri nuk do të flas për Titon, që të mos i rritet mendja, se kudo vete Hrushovi flet për Titon. Dhe besoj se edhe ju nuk do ta bëni?". Domethënë, ai kishte hallin që ne të mos fillonim të flisnim, dhe Enveri iu përgjigj: "Ne do ta respektojmë mysafirin, nëse mysafiri do ta mbyllë edhe ne do ta mbyllim". Dhe kështu ishte realisht, sa ishte ai. Mbaj mend se aty, afër meje ishte Myslim Peza, një patriot, nuk kishte kulturë të madhe, por ishte një atdhetar, luftëtar i mirë, i vendosur. Dhe aty afër, sa dëgjoi këto fjalë të Hrushovit m'u afrua në vesh dhe më tha: "0 babë, - se kështu fliste ai, - ky vërtetë është një gjeni, është një mut". Mendja e tij, e kupton (qesh). U habit se si mund të vish në Shqipëri, që ishte në luftë me ta, dhe nuk flet për këtë çështje. Nejse, ky ishte mendimi i kohës, dhe Hrushovi në atë kohë kishte politikën e vet, e cila për Jugosllavinë nuk puqej me politikën tonë. Dhe ai vajti në Beograd dhe i shtriu dorën Titos. Kjo është punë e tij, por e kishte në dëm të Shqipërisë që sulmonte njëkohësisht Shqipërinë. Ashtu si bëri gabimin tjetër më të madh, vajti në Korfuz takoi Venizelosin, Kryeministrin e atëhershëm grek dhe bisedoi për Vorio-Epirin në dëm të Shqipërisë. Problemi ishte se interesat e tyre superiore kapërcenin interesat për Shqipërinë. Unë e them këtë për t'i pasur parasysh të gjitha.
R. A.: - Doja edhe një gjë tjetër të të thosha për këtë, dhe të mbyll këtë temë për veten. Më 1986 apo '87, takova, erdhën mysafirë dy senatorë italianë. Midis tyre, ishte njëri me mbiemrin Pikoli. Ka qenë Kryeministër, njëri nga politikanët e njohur, ashtu ishte edhe tjetri. Mes të tjerash, duke biseduar me ta, më thonë: "Pse ju shqiptarët u mbyllët në vetvete? Politika juaj e mbylli!". I thashë: "Po, vërtetë ne në politikën tonë jemi mbyllur, gabimi ynë. Mirëpo, nuk është shumë për motive ideologjike sa edhe për motive kombëtare, pra, për mbrojtje nga një rrezik që mund të na vijë. Gabim, jam dakord. Tani dua të të them një gjë. Ju italianët, jeni karshi nesh, na ndan deti Adriatik, unë e di, se kur ne këtu kishim bazën e Vlorës, kur kishim nëndetëset ruse, (dihet që ju në Taranto, karshi nesh, mbanit pesë divizione ushtarake. E vërtetë?". "Po, - tha, - i sollëm nga veriu. "Dhe shpenzuat miliona e miliarda aty. E vërtetë?" "Po", tha. "Tani, ju vetë si politikan, si fqinj a ia shtruat ndonjëherë vetes pyetjen, more, këta shqiptarët e shkrete, 3 milionë njerëz, si ia dalin xhanëm, e ti propozojmë ndonjë gjë ne, tu ofrojmë diçka, t'i ndihmojmë si gjest midis dy vendesh mike?....
"Me shumë sinqeritet, - më thanë, - z. Kryetar, ke të drejtë, ne nuk bëmë asgjë, por do ua shpjegojmë pse". "Po, - thashë, - keni të drejtë të shpjegoni pse-në". "E para, - më thanë, -e kemi konsideruar dhe e konsiderojmë Shqipërinë zonë të ndikimit sovjetik, mos harroni se ekziston Lufta e Ftohtë dhe ne të propozonim, të bashkëpunonim, ta ndihmonim Shqipërinë, duhet të merrnim përsipër rrezikun e presioneve nga Moska, dhe këtë kishim frikë. Ne nuk donim telashe nga Moska. E dyta, Partia Komuniste Italiane ishte një nga drejtueset e Qeverisë italiane, ishte më e fuqishmja në Itali dhe në Europën Perëndimore, dhe ajo ishte e lidhur me Moskën, dhe ajo, në asnjë mënyrë, nuk pranonte që Italia të bashkëpunonte me Shqipërinë se do të ishte një thikë për Moskën...
Mjeda, Fishta, Noli, Qemal Stafa dhe Zogu...
J. J.: - Ndre Mjeda edhe gjuhën e ka shumë të përpunuar.
R. A.: - shumë të përpunuar dhe shumë të pasur. Madje, vargu i Mjedës është shumë i përpunuar kurse vargu i Fishtës është më popullor, më pak i përpunueshëm. Unë mbaj mend, se kur kam qenë në shkollë, na e mësonin përmendesh La-hutën e Malësisë, ashtu si edhe Ndre Mjedën, por ky i fundit më ka pëlqyer shumë. Mënyra e fjalëve të tij dhe mençuria e tij në poezi, idetë, mendimet që kishte. Fatkeqësia e Fishtës ishte se ky u bashkua me fashistët, u bë anëtar i Këshillit të Lartë Fashist të Italisë. Pastaj mori pjesë edhe në Kuvendin Kukull të Shqipërisë. Në kohën tonë, e vërteta ishte se mbajtëm një qëndrim tepër të egër ndaj Fishtës dhe jo vetëm për këtë, por ishte edhe ndikimi jugosllav, sepse ai ishte kundër Jugosllavëve, tepër i egër. Ne, të ndikuar edhe nga ky fakt, e bëmë.
J. J.: - Po Faikun, pse?
R. A.: - Po, sepse ishte kundër Nolit, e kështu...
J. J.: Më ke thënë se në një rast keni pasur lidhje, si shtet me Fan Nolin. Është pak e habitshme, pse nuk ka ardhur ai në Shqipëri?
R. A.: - Nuk e di, për nder, pse ka ardhur, por e di që kishim pasur kontakte. Kemi pasur lidhje me Nolin... E ka takuar Tuk Jakova, e ka takuar Behar Shtylla.
Qemal Stafa ishte njeri gojëtar. Kishte kulturë megjithëse akoma s'kishte arritur të mbaronte shkollë të madhe, ishte regjistruar në universitet, por kishte një stof kulturor të madh, aq sa mund të gjykonim në atë kohë, se edhe ne ishim të rinj. Sa isha unë në atë kohë, 16 vjeç.
J. J.: - Mbretërinë, si formë pushteti apo edhe si ruajtje të traditës nuk e pranoj, por periudhën e Zogut duket sikur e keni mohuar tërësisht...
R. A.: - Jo traditë, nuk ishte aty problemi. Mua më duket, duke parë me këtë këndvështrimin e sotëm, ne natyrisht jemi nisur nga një koncept i keq, shuaje! Bardh e zi. Ai përgatiti okupacionin e Shqipërisë, tradhtoi dhe nuk ishte më, as nuk është nevoja të harxhojmë frymë me të....
Për atë, kurse po ta shikosh sot me mendjen e zhvillimeve historike, atëherë e ka pasur një gjë të mirë Zogu. Themelore për mua, nëse do të flasësh, ishte kjo: që ai arriti, atë, të krijojë shtetin, më kupton? Në fund të fundit, po të shikosh pak objektivisht, e vërteta ishte që mbretëria ka këtë meritë, ai vuri themelet e shtetit. Në kuptimin, bëri gjyqet, sistemin gjyqësor, sistemin policor, ushtrinë, bashkitë, prefekturat e kështu me radhë. Domethënë, vuri në këmbë shtetin. Kjo është merita e Zogut gjatë qeverisjes së tij. Se as Vlora e Ismail Qemalit dhe asnjë nuk arriti të qëndronte deri në Kongresin e Lushnjës.
J. J.: - Bile, Fan Noli e mbajti gjashtë muaj, por nuk bëri asgjë.
R. A.: - Po s'bënte dot asgjë! Tjetër ishte politika e tij, por për vendin s'kishte gjë. Prandaj, kjo ishte për sistemin e Zogut, madje ai vuri edhe sistemin shkollor, tjetër nuk po flas, por kishte. Këto gjëra nuk duhen mohuar, ne ia mohuam të tëra, po nga ana ekonomike s'kishte asnjë gjë, ishte për faqe të zezë, që të mendosh çka fitoi ky vend prej tij.
J. J.: - Pushtimi i Shqipërisë prej Italisë.
R. A.: - Unë e kam përjetuar atë kohë. Në vitin 1939 kam qenë 14 vjeç.
J. J.: - Ti duhet ta mbash mend mirë?
R. A.: - Po, si jo, madje shumë mirë.
J. J.: - Cili është ai atdhetar që ka luftuar në Durrës?
R. A.: - Mujo Ulqinaku, ka qenë edhe Abaz Kupi, nuk ka qenë vetëm ai....

(GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›