E Shtunë, 31 Tetor 2026

Daçiç: Ndarja e Kosovës, zgjidhja e vetme

Ndarja e Kosovës është zgjidhja e vetme reale, ka thënë kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç. Kryeministri serb në një intervistë për mediat sllovene, ka thënë se bëhet fjalë për qëndrimin e tij personal dhe se pikëpamjet e tij nuk mund t’ia imponojë gjithë Serbisë dhe bashkësisë ndërkombëtare. 

“Vazhdoj të mendoj se kjo është zgjidhja më e shpejtë, më e mirë dhe më e drejtë, e cila është e pranueshme edhe për shqiptarët, edhe për serbët, sepse merr parasysh interesat e tyre legjitimë”, ka thënë Daçiç. 

Duke folur për gazetën “Delo”, Daçiç ka thënë se qeveria e tij, megjithatë, është e interesuar për zgjidhje paqësore dhe për vazhdim të dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. 

Ndërkohë, përfaqësues të qeverisë së Kosovës kanë thënë se Serbia po tenton të krijojë telashe të reja dhe se ndarja do të shkaktonte “lëvizje tektonike” në rajon.
(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›