E Diel, 1 Nëntor 2026

Ramiz Alia, stari i një mbrëmje nja 10 vjet më parë

Mustafa Nano

Ka qenë një veprimtari e organizuar në Pallatin e Kongreseve. Nuk më kujtohet saktësisht se çveprimtari ish, por duhej të ish me simbolikë nacionale a shtetërore, pasi ndodhej aty i gjithë establishmenti politiko-kulturor i vendit. Nuk mbaj mend as vitin, por di që në pushtet kanë qenë socialistët. Ramiz Alia, i shoqëruar nga vetëm një person, u dha në holl mes të ftuarve të fundit. Nuk iu desh të bënte shumë hapa, pasi i zuri rrugën një grup prej 3-4 deputetësh të majtë. Qëndroi me ta një copë herë, por më pas nuk mundi të lëvizte nga ai vend. Ka mbetur i fiksuar për më shumë se dy orë, deri në fund të mbrëmjes. Të gjithë shkonin ta takonin. Vetëm Fatos Nanon, Sali Berishën e Aleksander Meksin nuk i pashë që të shkonin ta takonin. Ndoshta dhe do eksponentë të Ballit Kombëtar e të Legalitetit. Të tjerët ishin në garë kush e kush ta takonte më parë. Diplomatët ndiqnin ngjarjen me kureshtje, por nuk afroheshin, a thua se për ta ish më mirë të ishin spektatorë se sa aktorë të atij teatri. Ishte si një star i asaj ceremonie, dhe për herë të parë, teksa shihja atë skenë, kam besuar se Ramiz Alia ka qenë de facto njeriu që ka tërhequr të gjitha fijet e politikës shqiptare pas vitit 1985, se të tjerët kanë qenë marioneta që komandoheshin prej tij. Më pas kanë ndodhur dhe gjëra të tjera që më kanë bërë ta mendoj më shpesh të njëjtën gjë, pa pasur mundësi ta provoj e dokumentoj si tezë, megjithatë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›