E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana, integrim social apo dizintegrim

FATOS LUBONJA

Para disa ditësh lexova një lajm mbi studimin që kishte bërë një OJQ shqiptare rreth integrimit social – ekonomik të ardhësve në qytetin e Tiranës. Studimi ishte ndërtuar mbi një pyetësor rreth çështjesh të tilla si banimi dhe legalizimi, shërbimet, arsimi, punësimi, gjendja ekonomike, cilësia e jetës, angazhimi dhe përkatësia në komunitet, raporti me institucionet vendore.  Sipas lajmit, të dhënat e studimit kanë sjellë në përfundimin se banorët tiranas që kanë mbi 10 vjet që jetojnë në kryeqytet, kanë një këndvështrim të ngjashëm rreth çështjeve të rreshtuara më sipër me banorët që kanë jetuar në Tiranë para vitit 1990. (Nuk di pse në vend se banorët, në njoftim thuhej rezidentët.) Shkurt, pra, sipas këtij studimi, kush vjen në Tiranë, ka nevojë për dhjetë vjet që të ndjehet tiranas.
Kaq ishte lajmi që më ngacmoi jo edhe aq pse mu duk si një nga ato punët sipërfaqësore që kryejnë rëndom OJQ-të shqiptare për të nxjerrë ndonjë lek, por sepse, përfundimi mu duk si pa qëllim. Pra, nuk kuptova pse duhej ky studim. Ashtu siç lexohej lajmi dukej sikur bëhej fjalë se këtyre ardhacakëve, që të integrohen, d.m.th. të ngrihen në nivelin e lartë të kryeqytetasit, u duhen të paktën dhjetë vjet. Ndërsa për mua, çështja që shtrohet sot për tiranasit është krejt tjetër. Ajo ka të bëjë më së pari me pyetjen: çfarë do të thotë sot të ndjehesh i integruar në kryeqytetin tonë? Dhe kësaj i shtohet pyetja: a është e mundur që brenda dhjetë vjetësh, një njeri apo familje që ka ardhur në Tiranë të ndjehet njëlloj si qytetarët e vjetër të Tiranës? Ndoshta po, por në këtë rast duhet thënë: aq më keq për ardhësit.
E them këtë pasi si qytetar i vjetër i Tiranës e që jeton e ndjek me vëmendje jetën e bashkëqytetarëve të vet, mund të them se përjetimi im është se qyteti është bërë thuajse i pabanueshëm qoftë në kuptimin e atyre që do ti quaja nevoja primare të jetës, që kanë të bëjnë me raportin tonë me ajrin, gjelbërimin, ujin, rrugët, peizazhin urban etj., qoftë përsa u përket atyre nevojave që nënkupton integrim social, që kanë të bëjnë me atë se sa ndjehemi pjesë e një komuniteti të caktuar, ku hyn edhe raporti ynë me institucionet vendore të qytetit. Me një fjalë të vetme, do të thosha se si qytetar i Tiranës, ndiej jo integrimin, por pikërisht dizintegrimin. Nëse studimi i OJQ-së në fjalë ka arritur në këtë konkluzion edhe për ardhësit që kanë kaluar dhjetë vjet qëndrim, atëherë mund të them se ka arritur në një konkluzion të saktë. Përndryshe, është një vër në ujë. Në fakt, ajo çka do të kërkoja sot nuk është një studim mbi atë se sa kohë duhet që të ndjehen ardhësit të integruar, por një studim serioz mbi dizintegrimin social të tiranasve, mbi shkaqet dhe pasojat e mbi atë se çfarë duhet bërë (e sa kohë mund të na hajë kjo) për të filluar procesi i integrimit të qytetarëve të Tiranës në qytetin e tyre që në një farë mënyre, ashtu siç është bërë, kërkon ti dizintegrojë e ti flakë jashtë banorët e tij. Një studim që të merrej me atë se sa është rritur numri i të sëmurëve nga kanceri, i të sëmurëve nga mushkëritë, apo ai i të sëmurëve psikikë. Një studim që të merrej edhe me atë se si ndërtuesit që deri dje kanë shkatërruar kryeqytetin me betonizim, sot po na dërgojnë vazhdimisht e-mail-e ku na bëjnë publicitet në forma të ndryshme, duke na thënë: Tirana është bërë e pabanueshme, ju keni nevojë të dilni prej saj dhe të blini vilat që ne po ndërtojmë për ju në rrethinat e saj – që, tek e fundit, do të rezultojë edhe në një shkatërrim të rrethinave.
Gjithsesi, kur flas për dizintegrim social të komunitetit të tiranasve, e ndiej se më së pari më duhet të hap një parantezë që të çon në periudhën komuniste. Pse, a kishte komunitet tiranasish atëherë? – mund të shtrohet me të drejtë pyetja. Si qytetar i Tiranës them se shteti komunist, në një farë mënyre, duke uzurpuar të gjitha atributet e jetës publike, i shkatërroi komunitetet e vjetra e të reja të Tiranës dhe kjo që po jetojmë sot është edhe pasojë e asaj periudhe. Por jo vetëm. Përsëri si qytetar i vjetër i Tiranës, mund të them se në Tiranë mbetën, sado-kudo, ato të quajturat lagje apo mëhalla ku njerëzit kishin jetuar prej vitesh, mbeti një lloj solidariteti i lagjes/mëhallës, mbetën marrëdhëniet e njerëzve që e njihnin njëri-tjetrin prej kohësh, që i kishte lidhur një kopsht, apo një shkollë, apo një fushë sporti me të tjerët. Është e vërtetë se institucionet vendore, aq të rëndësishëm për të ngjizur komunitetet, u imponuan nga lart dhe qytetarët nuk i ndjenin si të tyret; është e vërtetë po ashtu se regjimi mbolli një mosbesim të thellë te njeriu, që nuk e ndihmon sociabilitetin, por megjithatë, mund të them se, ashtu si doli, Tirana në vitet 90 i kishte mundësitë urbane që të zhvillonte ato elemente komunitare që i kishte ruajtur apo zhvilluar sadopak në komunizëm. Mirëpo në vend të kësaj filloi një shkatërrim që solli edhe një dizintegrim të paparë social. Faktorët qenë të shumtë, pa dyshim, duke filluar që nga emigracioni i një pjese të mirë të tiranasve e duke vazhduar me dyndjet e ardhësve që u shoqëruan me një urbanizim të egër, me një masakër urbane me zaptime pronash publike e me privatizime abuzive në krye të të cilave u vunë institucione shtetërore që në vend se të bëheshin demokratike, në kuptimin që tiranasit ti ndjenin si të tyret, filluan, në bashkëpunim me gjithfarë horrash, të ardhur e tiranas, të grabisnin hapësirat publike, të shkatërronin kujtesën historike e me radhë e me radhë, çka, tek e fundit, ka rezultuar në shkatërrimin e çdo ndjenje komuniteti midis tiranasve, duke e bërë tiranasin sot të ndjehet më shumë se kurrë i vetmuar në hallin e tij, pa ndjenjë komuniteti, pa ndjenjë se ka komshinj që mund ti gjenden në një hall, pa institucione që mund ti shërbejnë, pa shkolla e kopshte të atilla që të ndjehet i sigurt se po edukojnë qenie njerëzore të shekullit XXI.
Nuk po zgjatem në këtë histori depresive për të cilën kam shkruar shumë. Përkundrazi, në këtë shkrim dua të sugjeroj diçka me idenë se nuk është kurrë tepër vonë, madje edhe duke pasur parasysh faktin se sot kemi një kryetar bashkie të ri dhe një grup që po punon për planin urbanistik të qytetit. Ndoshta – them akoma – mund ti lexojnë këto rreshta edhe nën dritën e katastrofës që kemi të gjithë përpara syve e nuk do të më përqeshin – siç kam frikë – duke thënë me njëri-tjetrin me cinizëm se çka po them janë broçkulla të një jokompetenti (urbanist popullor më përqeshte dikur ish-kryebashkiaku), pasi çka përshkruaj janë fenomene të kapitalizmit kudo në botë.
Madje, për ta sqaruar më mirë se çdua të sugjeroj, po sjell shembuj pikërisht nga bota. Po e filloj me përvojën e Enrique Penalosa, kryebashkiak në
fillimvitet 2000 i kryeqytetit të Kolumbisë, Bogota, i cili është bërë i famshëm sot për projektin e tij. Në një kryeqytet dhjetë milionësh të mbytur nga një trafik kaotik e nga një problematikë e krahasueshme në shumë aspekte me Tiranën, Penalosa u nis nga ky parim: Ne kemi nevojë të ecim ashtu sikurse zogjtë kanë nevojë të fluturojnë. Ne kemi nevojë të qëndrojmë së bashku me njerëz të tjerë. Ne kemi nevojë për të bukurën; për kontakte me natyrën. Kemi nevojë, mbi të gjitha, të mos ndjehemi të përjashtuar. Kemi nevojë edhe të ndjehemi në një farë mënyre të barabartë. Mbi këtë parim, pra, ai krijoi një projekt qyteti relacional me një impakt të jashtëzakonshëm në botë. Së pari, ai ngulmoi se ekziston një konflikt midis vënies së qytetit në funksion të makinave dhe vënies së qytetit në funksion të njerëzve (e kush më shumë se ne tiranasit e provon këtë konflikt mbi kurriz?). Kështu, Penalosa i braktisi projektet e rrugëve të mëdha në periferi (kujtoni se ne po bëjmë një të tillë) duke i përdorur burimet financiare për të realizuar parqe të mëdha, pista biçikletash dhe autos

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›