Ramush Haradinaj, rifiton lirinë – Kosova në festë

Vendimi i Gjykatës së Hagës u prit me fishekzjarrë në Prishtinë – lirohen nga akuzat edhe Lahi Brahimaj me Idriz Balajn
Gjykata Ndërkombëtare për Krime Lufte në ish-Jugosllavi e ka shpallur të pafajshëm ish- luftëtarin e UÇK-së Ramush Haradinaj, duke e liruar atë nga të gjitha akuzat. Po kështu të pafajshëm janë shpallur edhe dy bashkëluftëtarët e tij Lahi Brahimaj dhe Idriz Balaj.
Të tre ata janë rigjykuar pjesërisht nën akuzën për “trajtim mizor, torturim dhe vrasje të të burgosurve” në atë që quhej kampi ushtarak i Jabllanicës, më 1998”.
Në vitin 2008, Haradinaj dhe Balaj janë liruar nga të gjitha akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, ndërsa i akuzuari i tretë, Brahimaj, është dënuar me gjashtë vjet heqje lirie për “trajtim mizor dhe torturim” të të burgosurve të UÇK-së.
Rigjykimi, që ka nisur më shumë se dy vjet më parë, ka ardhur si kërkesë e prokurorisë së Tribunalit të Hagës për t’i dëgjuar dëshmitë shtesë të dy dëshmitarëve “të rëndësishëm”.
Vendimi i Gjykatës së Hagës u prit me fishekzjarre në Prishtinë
Qytetarë të shumtë janë mbledhur në Sheshin Nëna Terezë të Prishtinës, ku, përmes ekraneve gjigante, kanë ndjekur drejtpërdrejt leximin e vendimit përfundimtar për rastin.
Fishekzjarrët kanë mbuluar qiellin e Prishtinës, ndërsa qytetarët e përlotur kanë uruar njëri-tjetrin.
Anita Haradinaj: Vendimi i Hagës, fitore e qytetarëve
Bashkëshortja e Ramush Haradinajt Anita Haradinaj e pyetur nga mediat menjëherë pas shpalljes së vendimit është shprehur se vendimi i Hagës është fitore e qytetarëve, sepse për 7 vite ka patur përkrahjen e qytetarëve. Gjithashtu ajo theksoi se bashkëshorti i saj mund të kthehet sot në Kosovë.