Ranieri: Inter-Juve, do të paguaja për fitoren
"Do të paguaja për të fituar këtë derbi, nuk do të ndikojnë në rrugën për titull, por ka vlerën më të madhe, sepse nëse fiton, mund një skuadër të madhe. Megjithatë, mendoj se edhe ata do të paguanin gjithçka për të fituar këtë takim". Ky është Klaudio Ranieri, i cili mezi pret të përballet sot në "San Siro" me Interin e Murinjos. Do të jetë një sfidë, ku Juventusi nuk është favorite, por si skuadra që i ka mundësitë për të ndalur hovin e zikaltërve. Sot Ranieri do të rigjejë përballë rivalin e të gjitha kohërave, Murinjon, për të cilin ka thënë dje se do të donte t‘i shtrëngonte dorën për të ulur tensionin e muajve të kaluar. Një gjest që do ta pranonte me "plot dëshirë". Më pas, ai ka saktësuar se sfida e sotme "nuk është një sfidë Murinjo kundër Ranierit, por për mua është një ndeshje mes një skuadre kundër tjetrës. Interi është akoma skuadra më e fortë, sepse ka fituar dy kampionate dhe do të duhet ta mundim, por, sikurse ka thënë një ditë më parë presidenti Koboli Xhijli, vetëm në fund të vitit do të shikojmë se kush do të qëndrojë në vend të parë. Murinjo është shumë i zoti, ka mishëruar në ekip filozofinë portugeze, por ia ka marrë mirë dorën edhe futbollit italian dhe ky është një kompliment". Ndërkohë që, nuk harron të flasë edhe për ndeshjen: "Do të zhvillohet një lojë e shpejtë dhe vibrante. Takime të tilla i stimulojnë lojtarët, ambientin, tifozët na ndalin në rrugë dhe na kërkojnë të japim maksimumin. Gjithmonë janë në lojë 3 pikët, ndaj është një ndeshje e rëndësishme. Ata që rrezikojnë më shumë jemi pikërisht ne, pasi në renditje qëndrojmë pas tyre".