Siti, 75 milionë euro euro për Xhixhi Bufon
Mançester Siti i ka bërë një ofertë të çmendur Xhixhi Bufonit: ai tundohet dhe Juve është në ankth. Në shtypin e djeshëm italian sqaroheshin të gjithë detajet e një operacioni të bujshëm. 75 milionët e ofruar për kartonin e portierit të madh bardhezi arrijnë vlerën e transferimit më të shtrenjtë të Zinedin Zidan nga Juventusi te Real Madrid. Në 2001, Florentino Perez shpenzoi 150 miliardë lireta, me kursin e sotëm të këmbimit në gati 75 milionë euro, për operacionin e blerjes së yllit francez. Këtë herë sheiku Mansour bin Zajed e ka ngritur pjacën pikërisht për Xhixhi Bufonin, i cili në rast transferimi te Mançester Siti do të fitojë 15 milionë euro në vit për 5 sezonet e ardhshme. Një ofertë, që do të bënte të lëkundet edhe Zlatan Ibrahimoviç, lojtarin që ka aktualisht edhe rrogën më të lartë në botë; plot 12 milionë euro. Bufon për momentin është lojtari më i paguar i Juventusit: merr 5 milionë rrogë bazë dhe ka një kontratë deri në 2013 (rinovimi i fundit është bërë në muajin mars të këtij vit). Por, bosi arab i anglezëve ka ndërmend ta mbulojë me flori, madje duke i ofruar një kontratë deri në moshën 35-vjeçare. Dhe Bufoni, pikërisht të hënën, në një video-chat me "Gazzetta.it", pranoi: "Nëse do të largohem nga Torino, do ta bëj këtë për një skuadër jashtë Italisë dhe për një shifër marramendëse. Nëse do të vinte një ofertë prej 100 milionë euro, atëherë do t‘i thosha klubit që të më shiste: më tërë ato para do të mund të bliheshin tre kampionë". Më shumë se një deklaratë, një gjë e tillë duket si një profeci. Por, sigurisht, tensioni është i lartë.