E Diel, 1 Nëntor 2026

Raport: PKK pas më shumë se 60 sulmeve më 2011

10-08-2012 / “Southeast European Times”

Në raportin e tij mbi terrorizmin më 2011, Departamenti i Shtetit i SHBA-së përcaktoi 49 grupe si Organizata Terroriste të Huaja e vuri në dukje sulmet e lidhura me terrorizmin në Turqi, Bosnjë e Hercegovinë [BiH], Greqi, Kosovë e Serbi. Mes grupeve të përcaktuara terroriste në Turqi, raporti renditi Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) separatise kurde, Partinë/Frontin Revolucionare Çlirimtare të Popullit (DHKP/C) e Hezbollahun e Turqisë (pa lidhje me Hizbullahun e Libanit). Raporti përmendi gjithashtu burgimin nga autoritetet turke të anëtarëve të Bashkimit të Xhihadit Islamik (IJU) e përkrahësve të al-Kaedës dhe grupeve të tjera luftëtare. Sipas raportit, PKK numëron afërsisht 4-5 mijë luftëtarë. "PKK mbeti aktive më 2011, me rreth 61 sulme në llogari të saj," tha Departamenti i Shtetit. "Të paktën 88 vetë u vranë në sulme e 216 u plagosën". Sipas raportit, përpjekjet kundër terrorizmit të Turqisë mbetën të përqendruara në trajtimin e kërcënimit të brendshëm të paraqitur nga grupet luftarake, duke përfshirë PKK-në. "Përpjekjet për të luftuar terrorizmin ndërkombëtar janë penguar nga legjislacioni që e përcakton terrorizmin ngushtësisht si një krim që synon shtetin turk ose shtetasit turq," tha raporti. "Një projekt-ligj përpara parlamentit mbi Parandalimin e Financimit Terrorist u nis fillimisht për të trajtuar çështjen e përkufizimit; megjithatë, sipas Forcës së Posatëme për Veprimin Financiar, projekt-ligji i tanishëm është i pamjaftueshëm për ta sjellë këtë e fusha të tjera të legjislacionit financiar të terrorizmit, në standardet ndërkombëtare". Raporti pohoi se autoritetet turke përdorën legjislacionin kundër terrorizmit të vendit "tepër gjerësisht për të mbytur ligjërimin politik," duke vënë në dukje se qindra njerëz u arrestuan vitin e kaluar për krime në kuadrin e ligjeve të terrorizmit të Turqisë. Raporti mbuloi gjithashtu gjendjen në katër vende të tjera evropiane juglindore: BiH , Greqi, Kosovë e Serbi. Raporti i vendit mbi BiH renditi dy incidente terroriste më 2011, njëri prej të cilit ishte një bombë makine kundër përfaqësuesve politikë të Bashkimit Demokratik Kroat të BiH-së në prill. Ndërsa askush nuk u plagos në sulm, një polic u plagos në fund të tetorit kur Mevlid Jashareviç, një shtetas serb, dyshohet se hapi zjarr mbi ambasadën e SHBA-së në Sarajevë. E përditshmja e Beogradit Blic njoftoi këtë javë se Senad Dupovacit, avokatit të Jashareviçit, i ishte ofruar një marrëveshje për pranimin e fajit, nga autoritetet e BiH-së. Prokurorja e rastit, Dubravka Çampara, e mohoi njoftimin. Ndërsa vuri në dukje se bashkëpunimi rajonal i BiH-së me Kroacinë e Serbinë ishte përmirësuar, departamenti i shtetit tha se përpjekjet e saj kundër terrorizmit kanë dhënë "rezultate të përziera," duke cituar "natyrën e fragmentuar" të sektorëve të policisë e të sigurimit të vendit ballkanik. Ditën që pasoi sulmin ndaj ambasadës së SHBA-së në Sarajevë, autoritetet serbe ndaluan 17 vetë me lidhje të dyshuara me Jashareviçin, vuri në dukje raporti i vendit mbi Serbinë. Ai përgëzoi autoritetet e Beogradit për përpjekjet e pandërprera të tyre në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar e bashkëpunimin e përmirësuar mes agjencive të zbatimit të ligjit e të sigurisë të vendit. Pasi Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, EULEX luajti një rol ndërmjetës në bashkëpunimin për zbatimin e ligjit mes Prishtinës e Beogradit. Raporti i SHBA-së tha se Kosovës i duhet të bëjë përpjekje të mëtejshme për të zgjeruar bashkëpunimin mes departamenteve për të forcuar kontrollin mbi kufijtë e vendit. Departamenti kundër terrorizmit, i cili pati "një marrëdhënie pune e shkëmbim informacioni të mirë me partnerët rajonalë e qeverinë e SHBA-së," duhet të ndërtojë lidhje më të ngushta me agjencitë e duhura qeveritare e grupet fetare në vend. Raporti mbi Greqinë vuri në dukje se më 2011 numri i incidenteve terroriste vendase kishte rënë ndjeshëm. Policia "bëri arrestime të mëdha" brenda dy grupeve më aktive terroriste vendore, Lufta Revolucionare e Konspiracioni i Bërthamave të Zjarrit dhe Përpjekja Revolucionare, ndërsa një e tretë, Sekti i Revolucionarëve nuk mori përgjegjësi për ndonjë sulm vitin e kaluar.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›