Raport mbi vrasjet në Irak, statistikat tregojnë ulje

Numri i irakianëve të vrarë në muajin mars të këtij viti, ishte më i ulët prej 2003, kur filloi invadimi i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.
Sipas të dhënave zyrtare, 112 irakianë, përfshirë 78 civilë, janë vrarë në sulme në mbarë Irakun, gjatë muajit të kaluar.
Ky numër është rreth 50% më i vogël në krahasim me numrin e të vrarëve në muajin mars të vitit të kaluar.
Më tej thuhet se numri më i madh i të vrarëve u shënua më 18 mars, kur në një valë të sulmeve në qytete të ndryshme u vranë 50 persona dhe u plagosën afro 250 të tjerë.
Gjatë muajit mars, në Bagdad u organizua samiti i Ligës Arabe, që ishte tubimi i parë i këtij lloji në kryeqytetin e Irakut, prej vitit 1990.
Për shkak të masave të larta të sigurisë, samiti kaloi pa dhunë.
Vitin e kaluar Shtetet e Bashkuara e kompletuan tërheqjen e vet nga Iraku dhe siguria tanimë është në duart e forcave të Irakut.