E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë, Krasniqi: Regjimi i Beogradit, i pa ndryshuar

Pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit, kryeparlamentari Jakup Krasniqi ka komentuar arrestimin e policëve kosovarë duke thënë se regjimi i Serbisë nuk ka ndryshuar.
 

“Duhet të themi se ishte një akt që tregon edhe njëherë se në politikat e regjimit të Beogradit nuk kanë ndryshuar asgjë esencialisht dhe kjo sigurisht nuk është problem vetëm i institucioneve të Kosovës, ky është një problem që i kalon përmasat e institucioneve të Kosovës dhe me këtë duhet të merret edhe komuniteti ndërkombëtar”, ka thënë Krasniqi. Sipas tij, është në duart e shefave të grupeve parlamentare për të vendosur nëse duhet një seancë special për këtë cështje.
 

Ndërkaq dy policët e arrestuar nga Serbia dy ditë më parë, i janë dorëzuar forcave të misionit EULEX. Lajmi u konfirmua nga ministri i Brendshëm i Kosovës, Bajram Rexhepi. Edhe më herët ishte njoftuar se një gjykatë në Serbi kishte vendosur lirimin e dy policëve të arrestuar 48 orë më parë në Merdarë, në kufirin me Serbinë.
 

Shukri Binaku dhe Sami Beqiri u arrestuan të shtunën në mëngjes, teksa po patrullonin në fshatin Dumnicë të komunës së Podujevës. Ngjarja u paraqit me shumë bujë në Serbi, ndërsa hasi në reagimin e ashpër të Prishtinës zyrtare, por jo vetëm.
 

Të hënën, skadonte edhe masa e ndalimit prej 48 orëve që policia e Serbisë kishte vendosur ndaj dy policëve kosovarë, ndërsa EULEX-i dhe KFOR-i kishin konfirmuar hetimin e çështjes. Ndalimi i policëve të patrullës kufitare, Sami Beqiri dhe Shukri Binaku përbën incidentin më të rëndë ndërkufitar deri më tani, që kur KFOR-i ka filluar të transferojë përgjegjësitë për vijën e gjelbër pesë-kilometërshe tek autoritetet vendore.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›