Raportet SHBA-Kinë në pikëpyetje

Në një takim të organizuar me kujdes, presidenti Obama dhe Dalay Lama do t’i lënë pas shpine protestat e Kinës dhe do të ringjallin traditën e gjatë të mbështetjes amerikane për Tibetin, në përpjekjet e tij për autonomi më të gjerë nga Pekini.
Përderisa presidenti Obama do të zhvillojë takimin e parë me udhëheqësin shpirtëror në mërgim të tibetianëve, aktivistët i bënë thirrje baroneshës Ashton që edhe ajo t’i bëjë një ftesë të ngjashme Dalay Lamës, “në përputhje me vlerat evropiane të dialogut dhe të pajtimit”.
Takimi me njërën nga ikonat e lëvizjes për të drejtat e njeriut nuk besohet se do të shoqërohet me paraqitje publike.
Megjithatë, edhe në këto kushte takimi vetëm sa do të thellojë mosbesimin që ekziston në raportet e trazuara amerikano-kineze. Madje, takimi ka fuqinë që t’i dëmtojë edhe interesat amerikane në një mori çështjesh tjera, duke filluar që nga Irani, e deri te vlera e dollarit.
Shtëpia e Bardhë është përkujdesur që të theksojë se Dalay Lama do të pritet si një udhëheqës shpirtëror, e jo si një udhëheqës politik. Megjithatë, konteksti politik i takimit nuk mund të anashkalohet.
Takimi ishte shtyrë deri pas vizitës së parë të presidentit Obama në Kinë, me shpresë se atje do të mund të fitonte bashkëpunimin e Kinës në politikat që lidhen me ndryshimet klimatike dhe me sanksionet kundër Iranit.
Që nga koha e dështimit të kësaj strategjie, presidenti Obama ka miratuar një marrëveshje me vlerë prej 6.4 miliardë dollarësh për shitjen e armëve Tajvanit, ndërkohë që Kina ka lejuar qëllimisht rënien e aksioneve të thesarit të Shteteve të Bashkuara në tregun botëror. Paralelisht, Kina ndërkohë nuk ka pranuar as të tërhiqet nga mosmarrëveshjet e krijuara me gjigantin amerikan të internetit, Google.
Në këto kushte, sigurimi i ftesës nga presidenti Obama dhe një takim tjetër me sekretaren e Shtetit, Hillary Clinton, shihet si fitore e madhe e tibetanëve.
Zëdhënësi për shtyp i presidentit Obama, Robert Gibs, deklaroi se “presidenti thjesht do të inkurajojë Pekinin dhe Dalay Lamën që t’i vazhdojnë bisedimet”.
Mirëpo, nëntë vitet e takimeve sporadike nuk kanë shënuar ndonjë përparim sa i përket lirive fetare për tibetianët budistë, e as në trajtimin që Pekini ua bënë disidentëve tibetianë.
Megjithatë, ajo që paraqet shqetësimin më të madh në afat të gjatë për Shtetet e Bashkuara është përfundimi i dashurisë kineze me borxhin amerikan.
Në muajin dhjetor, Kina hoqi qafe aksionet e thesarit amerikan që kishin një vlerë prej 34.2 miliardë dollarësh. Nëse një trend i tillë vazhdon, vizita e klerikëve budistë mund të shndërrohet në shqetësimin e fundit për presidentin Obama.