E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjermani: Vritet arsimtari në shkollë

Një 23-vjeçar ka vrarë me armë zjarri një arsimtar të shkollës së mesme në Ludvigshafen dhe ka plagosur disa kolegë të tij.

Policia gjermane në këtë qytet të krahinës Rainland-Pflatz, nuk ka njoftuar se me çfarë arme është vrarë arsimtari, ndonëse ka kumtuar se sulmuesi ka përdorur edhe një thikë.

Sipas policisë, kryesi i veprës është arrestuar, ndonëse ende nuk është e qartë nëse ai më parë kishte qenë nxënës i kësaj shkolle, e as nëse e kishte njohur viktimën.

Sipas mediave gjermane, pas Amerikës Gjermani është shteti me numrin më të madh të gjakderdhjeve. Veçanërisht janë të pranishme fatkeqësitë e kësaj natyre, duke filluar që nga masakra në gjimnazin Gutenberg, në Erfurt, të cilën në prill të vitit 2002 e kreu një ish-nxënës i asaj shkolle, duke vrarë 16 persona, kryesisht nxënës dhe arsimtarë, por edhe sekretareshën e shkollës dhe disa policë.

Sulmi i së enjtes në Ludvigshafen, brenda shkollës që numëron 3,200 nxënës dhe 120 arsimtarë, sërish i shqetësoi prindërit gjermanë dhe angazhoi policinë dhe psikologët.

Gjakderdhja e fundit e madhe në një shkollë ndodhi në mars të vitit të kaluar, kur 17-vjeçari Tim Krechmer, nga rrethi i Stutgartit, gjatë marshimit të tij të përgjakshëm në ish-shkollën e tij vrau tetë vajza dhe një djalë nga Kosova (Ibrahim H.), por edhe tri arsimtare, dy kalimtarë rasti, e në fund edhe veten.

Në rrëfimin rrëqethës për Tim, për të cilin thuhet qe ka qenë djalë i qetë, mediat gjermane asokohe kishin shkruar se babai i tij, përndryshe një pronar i respektuar i një firme që edhe vetë posedonte 16 copë armë me leje, akuzohet për shkak se armët nuk i mbante të mbyllura në kasafortë. Kjo, ngase djali i tij krimin monstruoz e kreu me armën që e gjeti në shtëpinë familjare.

Tim madje kishte paralajmëruar veprën e tij edhe në internet.
“Jam ngopur, jam ngopur nga kjo jetë e zbrazët. Gjithmonë njësoj. Të gjithë më përqeshin dhe askush nuk e vëren potencialin tim. E kam seriozisht. E kam armën dhe nesër do të shkoj në shkollën time... Do të shohin ata nesër. Mbajeni në mend emrin e vendit Vinenden...”, kishte shkruar vrasësi në një ‘chat-room’ në internet.

Pas rastit të Tim, për shkak të dëshpërimin dhe nënçmimit, 18-vjeçari Georg R. Kreu krimin e radhës në gjimnazin e qytezës bavareze Anzbach, kur me një koktej Molotovi dhe me sëpatë lëndoi të paktën nëntë persona.

Shënimet nga materiali i gjetur tregojnë se Georg sulmin e kishte kryer për shkak “të urrejtjes ndaj njerëzve përgjithësisht, por edhe ndaj institucionit të shkollës”, raportuan mediat gjermane, duke i thirrur në hetimet e policisë.
Situata të ngjashme ndodhën dhe nëpër pjesët tjera të Gjermanisë, si për shembull në krahinën më të madhe gjermane, Raina Veriore dhe Vestfalia, në vitin 2006. Asokohe një ish-nxënës i lëndoi 37 persona, e pastaj kreu vetëvrasje.

Lidhur me ngjarjet e tilla nëpër shkollat gjermane reagojnë psikologët dhe sociologët, duke tentuar që të japin përgjigje se përse po ndodhin këso gjëra, por edhe se cili në fakt është “shtytësi” që i nxitë të rinjtë të kryejnë vepra të tilla. (Nga Agjencitë)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›