E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raporti, ILDKP: Zyrtarët që janë në konflikt interesi

Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive paraqiti në Kuvend raportin për vitin 2009


TIRANË- Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive ka gati raportin për vitin 2009 ku paraqiten të dhëna të hollësishme mbi kontrollin, evidentimin parandalimin dhe zgjidhjen e rasteve të konfliktit të interesave si dhe masat e marra për parandalimin e korrupsionit dhe krimit ekonomik në vend. Një kopje e këtij raporti është depozituar edhe në Kuvend


Konflikti i interesit


Përmes kontrollit të drejtpërdrejtë, ILDKP-ja ka nisur hetimin administrativ për disa raste të dyshuara konflikti interesi dhe, në përfundim, janë ndërmarrë sanksionet përkatëse e konkretisht "gjobë", për 8 zyrtarë të nivelit të lartë drejtues, pasi nuk kanë zgjidhur në kohën dhe mënyrën e duhur konfliktin ndërmjet funksionit publik dhe interesave të tyre private.


Nga kontrollet e ushtruara nga ILDKP-ja në institucionet publike janë evidentuar, trajtuar dhe parandaluar 121 raste, nga informacionet e mbërritura prej Autoriteteve Përgjegjëse të institucioneve publike; nga informacionet e mbërritura në mënyra të ndryshme komunikimi me Inspektoratin e Lartë (postë, e-mail, telefonata, etj.); dhe nga media: Në 19 raste është shmangur marrja në funksione të ndryshme e zyrtarëve që kishin interesa private që binin ndesh me funksionin publik.


Informacioni ka mbërritur në Inspektoratin e Lartë përmes bashkëpunimit dhe komunikimit të drejtpërdrejtë me Autoritetet Përgjegjëse; 17 raste konflikti interesi të paraqitura nga institucione të ndryshme të administratës publike, të trajtuara dhe konfirmuara në Inspektoratin e Lartë; 36 raste të evidentuara nga Autoritetet Përgjegjëse të institucioneve qendrore të administratës publike; 48 raste të evidentuara nga Autoritetet Përgjegjëse të administratës se pushtetit vendor (bashki, komuna, qark); 1 rast konflikti interesi i ofruar nga media, i cili vijoi me një hetim të plotë administrativ.


Prokuroria


Në raportin e dërguar Kuvendit, Inspektoriati i Lartë i Deklarimit të Pasurive shpreh haptazi pakënaqësi për punën e organit të akuzës, që sipas Inspektoriatit përdor standarde të ndryshme për raste të ngjashme, sa i përket rasteve, që kanë si qëllim parandalimin e korrupsionit dhe krimit ekonomik.


"ILDKP-ja konstaton se për zyrtarë, kryesisht lokalë, prokuroria realizon një punë serioze për dërgimin e çështjeve për gjykim. Kjo iniciativë nuk vihet re për rastet kur ILDKP-ja kallëzon penalisht zyrtarë të nivelit të lartë e që vërtetohet se nuk justifikojnë legjitimitetin e pasurive disa milionëshe të krijuara. Një statistikë e tillë evidentohet edhe nga shkresa e zyrës së Prokurorisë së Përgjithshme, Drejtoria e Kontrollit të Hetimit dhe Ndjekjes Penale nr. 611/1 Prot.A.K, dt.


19.02.2010, sipas të cilës rezulton se, nga 15 kërkesa për nisjen e procedimit penal të Inspektoratit të Lartë; 11 procedime penale kanë përfunduar, nga të cilat 8 procedime janë dërguar për gjykim dhe 3 procedime janë pushuar; Nga 8 procedimet e dërguar për gjykim, janë shpallur fajtorë nga gjykatat 7 persona dhe është dhënë pafajësi për një person.


Nga informacioni i paraqitur, rezulton se 3 procedimet e pushuara nga organi i prokurorisë janë pikërisht zyrtarë të nivelit të lartë, të cilët nuk kanë mundur të justifikojnë me burime të ligjshme pasurinë e tyre që arrin në disa qindra mijëra euro",- thuhet në raportin e ILDKP-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›