Raporti, Kuvendi me shkelje dhe mungesë transparence financiare

17 nëntor 2011, deputeti Agim Leka voton për veten dhe deputetin Fidel Ylli
Ardit Rada
Skuadra monitoruese Unë Votoj pranë lëvizjes Mjaft ka publikuar dje raportin mbi monitorimin e Kuvendit të Shqipërisë për periudhën dymujore nëntor-dhjetor 2001. Publikimi i cili bazohet në matjen dhe vlerësimin e të dhënave konkrete vëren se edhe dy muajt e fundit të vitit kanë qenë të karakterizuar nga shkelje të rregullores dhe mungesë e marrjes së masave disiplinore. Raporti thekson se dy nisma ligjore janë shpallur të vlefshme në komisionet parlamentare ndërkohë që mbledhjet rezultojnë të pavlefshme në bazë të rregullores. Gjithashtu për rastet në fjalë rregullorja e Kuvendit parashikon masa disiplinore ndaj kryetarëve të komisioneve. Bëhet fjalë për dy projektligje diskutimi të zhvilluara nga Komisioni i përhershëm për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin. Nga ana tjetër në nëntor-dhjetor janë hasur sërish raste kur një deputet voton për kolegun ndërkohë që neni 57 i Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë përcakton karakterin vetjak të votës si dhe mos delegimin e saj. Monitoruesit si dhe përfaqësues të medieve janë penguar vazhdimisht për të ushtruar detyrën e tyre brenda sallës së seancës plenare apo në komisione. Kryesisht shkaqet kanë pasur të bëjnë me mungesën e sekretarit të Kuvendit, mungesën e vendeve të lira në sallë si dhe vonesa të marrjes së lejes për të ushtruar detyrën sipas parimit të qeverisjes së hapur dhe transparente theksojnë monitoruesit.
Deputetët antikonformistë
Raporti vëren se deputetë të ndryshëm në grupe të vogla apo në mënyrë individuale kanë votuar ndryshe nga pjesa tjetër e grupit parlamentar apo koalicionit ku bëjnë pjesë. Sipas rregullores deputetëve u njihet e drejta e shpjegimit të votës kundër por kjo e drejtë shfrytëzohet shumë pak. Gazmend Oketa ka votuar pro për rikthimin për rishqyrtim në Kuvendin e Shqipërisë të ligjit për menaxhimin e integruar të mbetjeve ndërkohë që Partia Demokratike ka dhënë votën kundër. Ndërkohë, deputeti Andis Harasani ka abstenuar për ndryshimet në ligjin për Autoritetin e Aviacionit Civil ndërsa vota e socialistëve në grup ka qenë pro. Tek lista e të ashtuquajturve deputetë antikonformistë hyjnë edhe Erion Braçe i cili ka abstenuar në votimin për sigurinë e përgjithshme të produkteve ushqimore ndërsa PS ka votuar pro. Listës së antikonformistëve brenda PS i bashkëngjitet edhe Dashamir Peza i cili ka abstenuar për ndryshimet në kodin hekurudhor. Në seancën plenare të datës 17 nëntor, deputeti Gramoz Ruçi ka votuar kundër, ndërsa deputetët Erion Braçe, Ermonela Felaj, Ilir Gjoni, Skënder Hasa, Arben Isaraj, Ervin Koçi, Valentina Leskaj, Piro Lutaj, Dashamir Peza, Armando Subashi kanë abstenuar gjatë votimit për Projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9251, datë 8.7.2004 “Kodi detar i RSH” ndërsa grupi parlamentar i PS ka votuar pro thekson raporti.
Kush mungon më shumë
Gjatë periudhës 1 nëntor 24 dhjetor 2011 të legjislaturës së XVIII deputetët që kanë munguar më shumë në votimin e shumicës së të gjithë projektligjeve janë Dritan Prifti dhe Rudina Seseri. Sipas vëzhgimit, Prifti rezulton të ketë qenë i pranishëm 6 nga 17 votime ndërsa Rudina Seseri 0 herë. Raporti thotë se PS nisur nga mungesa e vazhdueshme e znj.Seseri i ka kërkuar Kuvendit të Shqipërisë ta zëvendësojë atë me kandidatin radhës që vjen në listat zgjedhore. Kjo kërkesë e socialistëve erdhi pas dorëheqjes së Rudina Seserit e cila e argumentoi largimin me angazhimet personale.
Mungesa e transparencës financiare
Çdo projektligj i iniciuar nga Këshilli i Ministrave, Ministritë, apo një grup deputetësh, duhet të kenë të bashkëngjitur koston financiare për implementimin faktik të projektligjit. Parashikimi i kostove financiare për implementimin e ligjit duhet të jenë të mirë argumentuara, të specifikuara sipas qëllimit të ligjit si dhe llogaritja e kostove duhet të përputhet me çmimet reale të tregut. Kjo është shpjegimi që Unë Votoj i bën detyrimit në bazë të ligjit. Pas verifikimeve të skuadrës UnëVotoj në lidhje me shqetësimin e deputetes Vasilika Hysi, u konstatua se projektligji Për mbikëqyrjen elektronike në fushën penale, nuk kishte të parashikuar koston për blerjen e byzylykëve të sigurisë që do të vendosen në trupin e të burgosurve, megjithëse eksperti i qeverisë përmendi një vlerë rreth 250.000 euro të cilat do të përdoren për blerjen e këtyre pajisjeve shpjegohet në publikimin e monitoruesve të punës së Kuvendit.