E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raporti amerikan irriton Rusinë

Rusia ka hedhur poshtë kritikat amerikane në adresë të saj për gjendjen e të drejtave të njeriut në Rusi, duke theksuar se SHBA-ja vetë është “fajtore për abuzime, duke filluar që nga Afganistani e deri te rrugët e Amerikës”.

Në kumtesën të mbushur përplot me sarkazëm, Ministria e Jashtme e Rusisë theksoi se raporti vjetor i State departamentit amerikan për gjendjen e të drejtave të njeriut në botë, si synim parësor ka që të zhvendosë vëmendjen nga problemet e brendshme në SHBA.

Në raportin e State Departamentit amerikan u theksua se Rusia po përballet me korrupsion dhe u kritikua edhe vrasja e gazetarëve, të cilët kanë raportuar në mënyrë kritike për qeverinë e Rusisë.

Raporti u publikua pikërisht në momentin kur po vazhdojnë përpjekjet për përmirësimin e marrëdhënieve mes Rusisë dhe SHBA-së, të cilët ranë në pikën më të ulët pas agresionit të Rusisë në Gjeorgji, në gusht të vitit 2008.

“Çdo gjë në raport është në përputhje me traditat dhe ritualet-qasja, tezat, përfundimet dhe burimet. Në këto fusha nuk shohim ndonjë dallim të madh, përkundër deklaratave të administratës aktuale amerikane se po angazhohet për përmirësimin e marrëdhënieve me Rusinë”, u theksua në kumtesën e Ministrisë së Jashtme të Rusisë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›