Raporti i Avokatit të Popullit: “Ndaj të burgosurve ushtrohet dhunë fizike dhe psikologjike”
Lizeta Duro
Avokati i Popullit dhe Instituti Europian i Tiranës, nëpërmjet një raporti publikuar dy ditë më parë, në kuadër të zbatimit të projektit dyvjeçar për përmirësimin e sistemit të paraburgimit në Shqipëri, arrijnë në përfundimin se ndaj të burgosurve ushtrohet dhunë fizike e psikologjike, si dhe kanë ngelur në mes shumë sfida për të plotësuar standardet, edhe pse janë bërë përmirësime në parandalimin e keqtrajtimit dhe zhvillimin e kushteve materiale. Instituti Europian i Tiranës ka zhvilluar 33 vizita monitoruese në të gjitha institucionet e paraburgimit në vend, ndërsa thuhet gjithashtu se është parë nga afër dhe analizuar gjendja në shumicën e burgjeve në vend.
Raporti
Sipas këtij raporti, kushtet e të burgosurve në Shqipëri ishin të dobëta për shkak të mbipopullimit në burgje dhe higjienës. Raporti kritikonte kushtet, mbipopullimin dhe njofton për keqtrajtimin e të burgosurve dhe të atyre që janë në paraburgim. Në raport thuhet gjithashtu se të burgosurit me sëmundje mendore janë mbajtur në dhoma me të tjerë për shkak të mungesës së hapësirave. Në raport thuhet gjithashtu se të paraburgosurit paguajnë nën dorë për të pasur kushte më të mira në institucionet ku ata vuajnë dënimin si dhe për të marrë leje për të vajtur në shtëpi.
Reagime
Florina Nuni, Avokatja e Popullit, u shpreh gjatë prezantimit të raportit se gjatë inspektimeve të këtij institucioni dhe në rekomandimet e paraqitura për sistemin e paraburgimit, probleme mjaft të rëndësishme për t’u trajtuar janë respektimi i të drejtave të paraburgosurave të mitura, asistenca mjekësore dhe psikologjike, përmbushja e standardeve të jetesës, ushqimi, ajrimi, takimet dhe korrespondenca, organizimi i veprimtarive edukuese, parandalimi i dhunës dhe trajtimi çnjerëzor dhe degradues, si dhe nevoja e investimeve urgjente. “Disa prej burgjeve dhe paraburgimeve në vend vazhdojnë të vuajnë nga disa probleme të amortizimit dhe kushteve të papërshtatshme. Vonesa në hetime, pamundësi për takime me familjarët, telefonatat e kufizuara të detyruara nga drejtuesit për të paguar për kushte më të mira. Mungesa e kamerave të sigurisë apo mjeteve të tjera të komunikimit operativ mund të sjellë një serë precedentësh negativë”, - u shpreh Nuni. Ndërsa përfaqësuesja e Institutit Europian të Tiranës, Marta Onorato, u ndal në disa nga standardet e sistemit të paraburgimit në vendin tonë, duke thënë se krahas shumë reformave në sistemin e paraburgimit në vend, mbeten dhe një sërë problemesh, të cilat duhen kapërcyer. Onorato përmendi këtu gjendjen infrastrukturore ku masat e marra për zhvillimin janë lëna përgjysmë. “Gjendja infrastrukturore në disa paraburgime do të zgjidhte problemin e mbipopullimit. Por, krahas kësaj, ka dhe një sërë arritjesh të rëndësishme. Këtu vlen të përmendet dhe përafrimi i ligjeve të Shqipërisë në këtë fushë me ato të Bashkimit Europian. Në disa burgje, gjatë monitorimit, kemi konstatuar pakësim të rasteve të keqtrajtimit, ulje të nivelit të mbipopullimit dhe ndarja mes të miturve dhe të rriturve po zbatohet, por përsëri vazhdon të mbetet problematik trajtimi i personave me probleme të shëndetit mendor në sistemet e burgjeve”, - u shpreh Onorio.
Problemet
1. Raste të ndryshme të keqtrajtimit fizik dhe psikologjik.
2. Mungon stafi në Spitalin e Burgut në Tiranë, vetëm një doktor për të kuruar mbi 60 të dënuar.
3. Në disa institucione nuk realizohet ndarja midis të miturve dhe të rriturve.
4. Qelitë kanë igrasi, ajrimi nuk është i përshtatshëm dhe kanë një ndriçim të pamjaftueshëm natyral.
5. Në përgjithësi nuk ekziston ose nuk përdoret asnjë sistem ngrohjeje për dimër.
6. Në disa burgje, por edhe në Spitalin e Burgut në Tiranë, ekziston një mungesë e përgjithshme e ujit të ngrohtë dhe shpesh ambientet e dusheve janë në kushte jashtë çdo standardi.
7. Pak institucione kanë qeli me banja brenda dhe në përgjithësi banjat janë të përbashkëta, nën standardet e higjienës dhe privatësisë.
8. Ka raste kur të paraburgosurit janë të detyruar të flenë ose dy veta në një krevat, ose në dysheme.
9. Mbipopullimi i institucioneve të paraburgimit është një problem i përhapur.
10. Infrastrukturat janë shpesh të vjetra dhe të amortizuara.
11. Të paraburgosurit shpesh privohen nga përdorimi i telefonit dhe disa prej tyre ankohen se telefonatat ndaj Avokatit të Popullit apo organizatave të tjera bllokohen apo survejohen.
12. E drejta e aktiviteteve fizike në ambientet e hapura është problematike në disa institucione.
13. Ambientet për aktivitet sportiv janë në kushte të këqija, ose mungojnë fare dhe nuk ekziston një akses i drejtpërdrejtë në biblioteka, atëherë kur këto ekzistojnë.
14. Ndihma mjekësore shpesh jepet me vonesë për shkak të personelit mjekësor të kufizuar (Berat, Kukës e Tepelenë). Trajtime të specializuara nuk janë gjithmonë të garantuar.
15. Në përgjithësi mungojnë autoambulancat për transportin e të paraburgosurve në rastet e urgjencave. Nuk ekziston trajtim për personat me aftësi të kufizuar.
16. Nuk ekziston një trajtim i përshtatshëm për personat me sëmundje psikike apo çrregullime psikike.
17. Ka një mungesë të theksuar të psikiatërve apo psikologëve. Në disa raste këtë punë e kryejnë njerëz pa arsimin përkatës.
18. Të paraburgosurit paguajnë nën dorë për të pasur kushte më të mira në institucionet ku ata vuajnë dënimin dhe për të marrë leje për të vajtur në shtëpi.
25 Dhjetor 2010