E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Tirana përcaktuese për vendimet në të ardhmen

Rama për integrimin: “Nga mënyra sesi do të zgjidhet kjo çështje, varen fatet e punëve të vendit në vijim. E për këtë arsye, kjo është një ndër ato çështje, që në historinë e së drejtës përbëjnë momente kulmore për një shoqëri dhe për raportet mes shoqërisë dhe të vërtetës e së drejtës”

TIRANË Kryetari i opozitës, Edi Rama, ka fajësuar dje mazhorancën për raportin kritik që pritet të publikohet për Shqipërinë në muajin Tetor. “Besoj se të gjithë e kanë ndjekur reagimin e djeshëm të Brukselit, përkatësisht të shefes së njësisë për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Zgjerimit, e cila ka vënë theksin fort te shqetësimi kombëtar dhe ndërkombëtar që ka shkaktuar gjithçka ka ndodhur e po ndodh pas procesit të numërimit në Tiranë, që ishte një proces i ndjekur nga çdo shqiptar drejtpërdrejtë e po ashtu nga të gjithë sytë e interesuar të komunitetit ndërkombëtar për Shqipërinë. Është e qartë që duke nënvizuar se problemet nisën pas procesit të numërimit, theksohet ajo që është theksuar më parë në raportin e ODHIR-it dhe në të gjitha prononcimet e miqve dhe partnerëve ndërkombëtare, përveçse prononcimet e opozitës këtu në vend apo të ekspertëve të fushës. Është një shqetësim i njëzëshëm që ka të bëjë me shkeljen e hapur të Kushtetutës, të ligjit dhe të praktikës së konsoliduar në Shqipëri, lidhur me të ashtuquajturat vota të hedhura gabim”,- tha Rama. Kryetari i opozitës shtoi se Brukseli ka një shqetësim serioz edhe për mënyrën se si është marrë vendimi. Për pasojë, kryetari opozitës paralajmëroi se nga mënyra se si do të merret vendimi i ardhshëm i Kolegjit Zgjedhor do të varen edhe fatet e vendit. “Nga mënyra sesi do të zgjidhet kjo çështje varen fatet e punëve të vendit në vijim. E për këtë arsye kjo është një ndër ato çështje që në historinë e së drejtës përbëjnë momente kulmore për një shoqëri dhe për raportet mes shoqërisë dhe të vërtetës e së drejtës. E ky posaçërisht është një rast që përbën një moment kulmor, që do të përcaktojë se në çfarë Shqipërie do të jetojmë të nesërmen e vendimit të kolegjit. Sesi do të jetë politika, drejtësia. Ekonomia do të marrë një kthesë në drejtimin e duhur, që është drejtimi i mirëpërcaktuar në aspiratat e të gjithë shqiptarëve drejt Europës, apo do të shkojmë drejt një humnere që na largon jo vetëm nga Europa, por edhe nga vetë pozicioni ku gjendemi sot në raport me Europën, në raport me problemet që ka vendi”, tha ai. Rama tha se kambanat po bien për Berishën dhe se një vendim ndryshe i Kolegjit dëmton ardhmërinë e vendit dhe integrimin e saj në Europë. “Besoj se kambana e botës demokratike, që ra përsëri dje fort në Bruksel, bie për veshët e Saliut, bie për veshët e atyre që duhet të dëgjojnë dhe të kuptojnë se, bota demokratike nuk mund ta gëlltisë këtë gjellë të prishur që është gatuar në kuzhinën e pushtetit. Dhe kush mendon se mund të fshihet pas një vule gjykate, që legjitimon një vendim të padrejtë dhe në thelb keqbërës për vendin, mundet të marrë atë që si takon, por merr përsipër njëkohësisht që duke marrë atë që si takon të dëmtojë shumë rëndë jo vetëm imazhin, por edhe gjithë procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe në botën demokratike, duke dëmtuar njëkohësisht ardhmërinë e vendit për shkak se të gjitha proceset e brendshme në vend do të cenoheshin dramatikisht”, - tha ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›