E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raporti i BE-se Shqiperia progres te kufizuar

Komisioni europian do të publikojë sot progres raportin për vendet e Ballkanit Perëndimor. Për Shqipërinë vlerësimi i përgjithshëm i raportit do të jetë “një përparim i kufizuar” i vendit. Pjesa kryesore e raportit u takon kritereve politike, duke u fokusuar në ngërcin politik aktual. “Ngërçi politik, ngjarjet e 21 janarit dhe kundërshtitë për zgjedhjet në Tiranë, kanë penguar si punën e parlamentit ashtu dhe dialogun politik të nevojshëm dhe konstruktiv. Parlamenti nuk siguroi seanca dëgjimore dhe votim të rregullt në emërimet e anëtarëve të gjykatës kushtetuese dhe asaj të lartë, e cila gjithashtu përbën një tjetër prioritet kyç”, thuhet në raport.

Raporti vijon më pas me zgjedhjet e 8 majit për pushtetin vendor. Sipas tij, “në përgjithësi, megjithë një numër aspektesh pozitive, si konkurrenca e procesit, përgatitjet teknike transparente, zhvillimi përgjthësisht i mirë në ditën e votimit, një proces pozitiv numërimi, një mbulim pluralist nga mediat, zgjedhjet, të cilat janë përcaktuar si një prioritet kyç në opinion, arritën pjesërisht standartet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare”. Aktiviteti i Parlamentit mbetet i pamjaftueshëm, vijon raporti, pavarësisht se ka disa përmirësime në praktikat dhe rregullat parlamentare, si dhe një rritjeje të kapaciteteve administrative.

Një vit më parë BE i caktoi vendit tonë 12 objektiva kyce që duhej të përmbushte vendi për të marrë statusin e vendit të kandidatit. Por duke u fokusuar tek reformat, raporti europian thotë se ka reforma të pakompletuara për administratën publike, përparim i kufizuar në gjyqësor, zbatim i pamjaftueshëm i masave antikorrupsion etj. Ndërsa për qeverisjen shkruhet se vlerësohen përpjekjet e konsiderueshme të bëra si nga ekzekutivi ashtu dhe nga komisioni parlamentar i integrimit lidhur me reformat e kërkuara në procesin e integrimit. Cilësia e projektligjeve dhe diskutimet me palët e interesuara kërkojnë përmirësime të mëtejshme.

E duke u bazuar në këto konstatime, pavarësisht përparimit në disa prej fushave, Komisioni nuk është në gjendje të rekomandojë hapa të mëtejshme këtë vit për Shqipërinë. Në konkluzionet e tij, thuhet se inkurajohen forcat politike në Shqipëri të rivendosin dhe mbajnë një nivel dialogu politik që të bëjë të mundur funksionimin e institucioneve kryesore demokratike dhe vënien në jetë të reformave thelbësore”.

Anisa Braho

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›