Raporti i Departamentit të Shtetit mbi të Drejtat e Njeriut
Departamenti amerikan i Shtetit sapo nxori sot raportin mbi gjendjen e të drejtave të njeriut gjatë vitit 2008. Në kapitullin për Shqipërinë, në raport ngrihen një numër shqetësimesh që kanë të bëjnë me qëndrimin e autoriteteve ndaj pronës private, respektimit të të drejtës së të pandehurve për procese të drejta gjyqësore, kushtet e burgimit etj.
Në komentet lidhur me të drejtën për një proces gjyqësor të hapur dhe të drejtë, Departamenti i Shtetit jep komentet e tij mbi ligjin e pastërtisë së figurave. Raporti thekson se ky ligj është formuluar me terma të mjegullta që i japin qeverisë hapësirë tepër të gjerë për të përcaktuar vetë se çfarë nënkuptohet nga aktiviteti politik i ish-zyrtarëve të sistemit komunist, duke i dhënë dorë të lirë të vendosë se kush do të shkarkohet nga detyra. Raporti nënvizon edhe konfliktin e lindur ndërmjet ekzekutivit dhe gjyqësorit nga ky ligj, pasi pritet që ligji të prekë një numër anëtarësh të gjykatës kushtetuese.
Raporti i Departamentit të Shtetit thekson më tej se prona private vazhdon të jetë një problem i konsiderueshëm në Shqipëri. Lidhur me këtë çështje në analizën vjetore të Departamentit ngrihet problemi i hendekut mes kompetencave të kufizuara të ombudsmanit për të vepruar dhe ankesave që vijnë pranë tij lidhur me çështjen e pronave.
Në kapitullin për
Shqipërinë, Departamenti i Shtetit ngre gjithashtu shqetësimin lidhur me
kushtet në burgje, të cilat ende nuk përmbushin standartet ndërkombëtare. Po
ashtu, në raport përmendet edhe rasti i 7 të ndaluarve në një rajon policie që
ishin mbajtur mbi 15 ditë, pra për një kohë shumë më të gjatë se periudha prej
48-orësh që lejohet për ndalim para gjykimit. //ad//