Raporti i EULEX-it: Ja puna jonë e dhjetorit

Në dhjetor, gjykatësit e EULEX-it dhe ata kosovar kanë shqiptuar dënimin me burg në kohëzgjatje prej 54 vjet kundër pesë personave. Një gjykatës i EULEX-it ka urdhëruar masën e paraburgimit kundër katër të pandehurve të mbetur në rastin Kleçka (pjesa e dyte) ndërsa Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme ka shpallur dy aktgjykime për raste që ndërlidhen me të drejtat pronësore për së paku njëzet e tre hektarë tokë që shtrihen brenda dhe jashtë zonës speciale të Manastirit të Deçanit. Më poshtë është një përmbledhje e proceseve gjyqësore nga muaji i kaluar që EULEX-i ka vendosur në ballinën e ueb-faqes zyrtare:
Aktgjykimet
• Një trup gjykues i përberë nga gjykatës të EULEX-it dhe atyre kosovar në Gjykatën e Qarkut në Prizren ka liruar nga akuza Resmije Osmanin dhe Gëzim Rexhajn të akuzuar për veprat penale të pastrimit të parave, shmangies së tatimit, kontrabandës së mallrave dhe keqpërdorimit të autorizimeve ekonomike.
• Një trup gjykues i përberë nga gjykatës të EULEX-it dhe atyre nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë ka dënuar pesë persona me 54 vite burg. Dy nga ta ishin dënuar për vrasje të rëndë ndërsa dy të tjerë për tentim vrasje të rëndë në rastin e ashtuquajtur Bllaca 2. Personi i pestë ishte dënuar për të dy akuzat. Katër të pandehur ishin liruar nga akuza për tentim kidnapim.
• Një trup gjykues i përberë nga gjykatës të EULEX-it dhe atyre kosovar nga Gjykata e Qarkut në Prizren kanë liruar nga akuza një të pandehur i akuzuar për vrasje të rëndë. Trupi gjykues ka konstatuar se nuk është dëshmuar se ai ka kryer veprën penale për të cilën ishte akuzuar.
Vendimet e Gjykatës Supreme
• Një trup gjykues i përberë nga gjykatës të EULEX-t dhe atyre vendor në Gjykatën Supreme ka urdhëruar rigjykim kundër shtatë të pandehurve të akuzuar për zhvatje dhe kontraktim të fitimit jo proporcional nga prona. Trupi gjykues i Gjykatës Supreme ka miratuar ankesën e prokurorit publik dhe ka anuluar vendimin e Gjykatës së Qarkut në Prizren duke dërguar kështu rastin në rigjykim.
• Një trup gjykues i përberë nga gjykatës të EULEX-it dhe atyre vendor në Gjykatën Supreme, ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës së Qarkut në Prishtinë i shqiptuar kundër Amir Sopës i akuzuar për vepra që ndërlidhen me terrorizëm. Trupi gjykues i Gjykatës Supreme ka refuzuar ankesën e parashtruar nga pala mbrojtëse dhe ka vërtetuar aktgjykimin e shkallës së parë.
• Një trup gjykues i përberë nga gjykatës të EULEX-it dhe atyre vendor në Gjykatën Supreme ka urdhëruar rigjykim kundër gjashtë të pandehurve në pjesën e dytë e të ashtuquajturit rasti Kleçka. Trupi gjykues i Gjykatës Supreme ka pranuar ankesën e Prokurorit Special të EULEX-it dhe ka anuluar aktgjykimin e shkallës së parë sipas të cilit Arben Krasniqi, Behlul Limaj, Refki Mazreku, Sabit Shala, Shaban Shala dhe Besim Shurdhaj ishin liruar nga akuza. Pos tjerash, të pandehurit ishin akuzuar për krime luftë kundër popullatës civile dhe të burgosurve të luftës. Trupi gjykues gjithashtu i ka shpallur si të pranueshme dëshminë e Agim Zogajt, i njohur gjithashtu si “Dëshmitari X”, dhe provat e konfiskuara gjatë kontrollit në pronat e Naser Krasniqit dhe Fatmir Limajt.
• Një trup gjykues i përberë nga gjykatës të EULEX-it dhe atyre vendor në Gjykatën Supreme ka refuzuar ankesën e dytë të parashtruar nga pala mbrojtëse për një rast të vrasjes, që ndërlidhet me një gjakmarrje. Gjykata konfirmoi në tërësi aktgjykimet e mëparshme për ketë rast ku i pandehuri, Danil Nokaj, ishte dënuar me njëzet e pesë vite burg. Ky është një aktgjykim i plotfuqishëm. Ankesa kundër tij është e pamundshme.
Urdhrat për paraburgim
• Një gjykatës i EULEX-it në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë ka urdhëruar masën e paraburgimit një muaj kundër të katër individëve të akuzuar për krime lufte në të ashtuquajturin rasti Kleçka. Masa e paraburgimit një muaj ishte imponuar kundër të pandehurve Behlul Limaj, Refki Mazreku, Sabit Shala dhe Besim Shurdhaj.
• Një gjykatës i procedurës paraprake i EULEX-it ka urdhëruar masën e paraburgimit kundër pesë individëve të arrestuar si pjesë e një operacioni të kryer nga një ekip i përbashkët i hetuesisë së EULEX-it dhe Policisë së Kosovës. Masa të tjera janë shqiptuar edhe kundër tre individëve tjerë; atyre u kërkohet që të lajmërohen në stacionin policor, dhe për t’iu shmangur mundësisë së largimit nga vendbanimi atyre po ashtu u janë konfiskuar edhe dokumentet e udhëtimit.
Padi në rastet pronësore
• Një trup gjykues i Dhomës së Posaçme i kryesuar nga një gjykatës i EULEX-it ka shpallur dy aktgjykime në raste që ndërlidhen me të drejtat pronësore për raste që ndërlidhen me të drejtat pronësore për së paku njëzet e tre hektarë të tokë që shtrihen brenda dhe jashtë zonës speciale të Manastirit të Deçanit. Trupi gjykues ka refuzuar si të pabazuara paditë e dy ndërmarrjeve shoqërore (NSH) kundër Manastirit të Deçanit.
Ekstradimet
• Baki Sadiki, një i arratisur që kërkohej nga gjyqësori Sllovak për rolin e tij në trafikim të përmasave të mëdha të narkotikeve, ishte ekstraduar nga Kosova për në Republikën Sllovake. Me kërkese të autoriteteve Sllovake dhe në marrëveshje me autoritetet e Kosovës, EULEX-i ofroi asistence në procesin e ekstradimit. EULEX-i ka lehtësuar transmetimin e kërkesës për ekstradim nga Ministria e Drejtësisë e Republikës Sllovake tek Ministria e Drejtësisë në Kosovë, si dhe në dorëzimin pasues të personit nga Policia e Kosovës tek Policia Sllovake./Indeksonline/