Klasa e parë dhe e treta mësojnë në një klasë

Nuk po u pëlqen mësimi i kombinuar, andaj prindërit nga disa fshatra malore ankohen. Me të drejtë ata kanë bindjen se mbajtja e mësimit të kombinuar nuk mund të jetë cilësore, andaj kërkojnë zgjidhje.
Kështu, për shembull, Avdi Aliu nga Keqekolla shprehet shumë i pakënaqur që fëmija e tij mëson me nxënës të viteve tjera në të njëjtën klasë.
“ Fëmijët i kam në shkollën “Rilindja” në Keqekollë, gjegjësisht dy fëmijët, njëri në klasë të parë e tjetri në të tretën dhe ata mbajnë orët mësimore së bashku. Kur e pyes fëmijën për mësimet e klasës së parë,ai më përgjigjet për mësimet e të tretës”, thotë ai, shkruan gazeta Zëri.
Madje thotë se është detyruar që fëmijën e parë ta dërgojë në një shkollë të Prishtinës, në mënyrë që të zhvillojë mësimin si duhet por tash kur i janë bërë dy fëmijë në shkollë, është detyruar që përsëri t’i dërgojë në shkollën e fshatit, për shkak të shpenzimeve për udhëtim.
Ilmi Uka, kryetar i Bashkësisë Lokale të katër fshatrave, Keqekollë, Ballaban, Prapashticë edhe Nishec, thotë se nëse shihet nga aspekti pedagogjik, normalisht se pengon shumë mbajtja e mësimit të kombinuar, pasi mësimdhënësit detyrohen ta ndajmë orën në dy pjesë. Edhe Islam Isufi, drejtor i fillores “Rilindja”, në Keqekollë, e pranon se mësimi i kombinuar ka vështirësi.
“Ka mjaft vështirësi, por mësimi në kushte të tilla mbahet bazuar në një Udhëzim Administrativ të MASHT-it, që na udhëzon të mbahet mësimi në këso lloj kushtesh për shkak të numrit të vogël të nxënësve që kemi në shkollën tonë”, thotë drejtori Isufi sipas të cilit e gjithë shkolla i ka 88 nxënës, ndërkaq numri i nxënësve në një klasë sillet rreth 8-10 nxënës.
Zyrtarët komunalë thonë se jo shumë moti ajo dhe shkollat e ngjashme kishin shumë më tepër nxënës por për shkak të dukurisë së migrimit të banorëve nga fshati në qytet, shkollat tani po mbesim me aq pak nxënës.
“Jemi të detyruar të zhvillojmë kështu procesin mësimor sepse ka raste që numri i nxënësve në një shkollë të jetë vetëm 15 dhe brenda këtij numri bëjnë pjesë nxënës të gjeneratave të ndryshme. Për këtë jemi të detyruar të zhvillojmë mësim të përbashkët për të gjithë, duke e respektuar plan programin e gjeneratës”, thotë zëdhënësi komunal Asdren Osaj. Sipas tij, komuna nuk ka mundësi që të rrisë numrin e personelit arsimor sepse është e kufizuar nga Ministria e Arsimit, e cila ka deklaruar se nuk ka buxhet për paga shtesë.
Arbër Morina, nga Ministria e Arsimit, përkujton normën ligjore që thotë se “nëse ka më pak se 15 nxënës në një klasë bëhen kombinime të mësimit dhe se mesatarja e nxënësve në një klasë duhet të jetë 32, përkatësisht maksimumi 42”, tha ai. Ai e pranon se mbajtja e mësimit në këtë sistem mund të zvogëlojë pak cilësinë dhe premton se ky Udhëzim gjatë këtij viti do të rishikohet. /Indeksonline/