E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raporti i Moody’s, ekspertët: T’u kushtohet rëndësi rekomandimeve

TIRANË- Pas publikimit të raportit të kompanisë Moody's, ku rikonfirmohej vlerësim i njejtë për Shqipërinë në nivelin B1, ekspertët e ekonomisë i bëjnë thirrje qeverisë që të tregojë kujdes me rekomandimet që bëhen, me qëllim që ky pozicion të mos përkeqësohet vitin e ardhshëm.

“Klasifikimi mund të përkeqësohet nëse një sërë aspektesh nuk do adresohen në periudhën në vijim. Moody's vëreh që kosolidimi fiskal në Shqipëri është shndërruar në një sfidë, e cila duhet të gjejë akomodim së shpejti, në të kundërt do kemi një përkeqësim të klasifikimit. Ne sy bie edhe mungesa e suksesit në programin e reformave. Në rastin respektiv, për reformat ekonomike dhe institucionale Moody’s shprehet që duhet të gjejnë rrugën e zhvillimit shumë shpejt”, u shpreh eksperti i Ekonomisë, Gjergj Filipi.

Ekspertët shpjegojnë se Shqipëria duhet të bëhet atraktive për investimet e huaja, pasi gara në rajon tashmë është hapur dhe vendit i nevojitet ky fluks valute, në kushtet kur remitancat janë në rënie.

“Kemi një sërë shtetesh konkurente me ne për financime ndërkombëtare, të cilat kanë marrë tashmë statusin e vendit kandidat dhe i kanë hyrë rrugës së integrimit europian, e cila automatikisht në sytë e investitorëve ofron garanci”, tha më tej Filipi.

Në raportin e fundit të vlerësimit periodik mbi Shqipërinë ekonomia vlerësohet në nivelin B1. Ky tregues për ekspertët e Moody’s tregon një rrezik mesatar për ekonominë shqiptare.
(ma.ar/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›