Raporti i ODIHR, Pëllumbi: Vlerësimi më pozitiv i dhënë ndonjëherë për zgjedhjet!

Sekretari Organizativ i Partisë Socialiste, Arben Pëllumbi deklaroi sot se, raporti përfundimtar i ODIHR për zgjedhjet e 25 prillit, “është i qartë dhe pa asnjë ekuivok vlerësimi më pozitiv i dhënë ndonjëherë për zgjedhjet në Shqipëri nga ODIHR”.
Në një deklaratë për mediet, Pëllumbi tha se, “në raportin përfundimtar të publikuar ditën e djeshme, nga institucioni i gjithë pranuar ndërkombëtar për certifikimin e standardeve të zgjedhjeve, ODIHR duke rikonfirmuar gjetjet e raportit paraprak, vlerëson se: “Në zgjedhjet e 25 prillit, zgjedhësit patën mundësi të zgjidhnin mes kandidatëve, të cilët mundën të bënin fushatë në mënyrë të lirë dhe në kushtet e një kuadri ligjor që respekton liritë themelore. Pas një marrëveshjeje të re që i dha fund një ngërçi politik, aktorët kryesorë patën besim të mjaftueshëm për të marrë pjesë në zgjedhje. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), tashmë i reformuar, iu përkushtua mbikëqyrjes së procesit zgjedhor në mënyrë të organizuar dhe transparente, pavarësisht detyrimeve të reja të konsiderueshme, duke përfshirë edhe zbatimin e teknologjive të reja”.
“Është i qartë dhe pa asnjë ekuivok vlerësimi më pozitiv i dhënë ndonjëherë për zgjedhjet në Shqipëri nga ODIHR. Merita e padiskutueshme u takon qytetarëve shqiptarë që shprehën vendosmërinë e tyre për të ushtruar të drejtën e votës në përputhje me rregullat dhe standardet në fushën e zgjedhjeve”, tha Pëllumbi.
“Dëshirojmë të shprehim gatishmërinë tonë për të punuar ngushtë me OSBE/ODIHR si dhe për të vazhduar përpjekjet me aktorët politikë në vend për të adresuar të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR në frymë dhe në letër”, theksoi Pëllumbi.
“Gjithashtu ne i mbetemi angazhimit tonë për garantimin e votës dhe pjesëmarrjen në votime të çdo shqiptari me të drejtë vote, kudo që ata jetojnë në çdo cep të globit. Në përfundim, ne e falënderojmë Misionin e OSBE/ODIHR për profesionalizmin dhe angazhimin e pandërprerë në përmirësimin e standardeve të zgjedhjeve në Shqipëri”, nënvizoi Pëllumbi.