E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raporti i Uashingtonit. Qeveria e Berishës e trajtoi buxhetin si pronë private

Transparenca e buxhetit, Shqipëria renditet përkrah Nigerisë dhe Tanzanisë. Organizata për survejimin e buxheteve na rendit si vend të botës së katërt

Habjon Hasani
Shqipëria është e zhytur në paradoks, në amulli, pasi edhe pse gjeografikisht ne gjendemi në Europë, madje në një zonë “të bekuar” mesdhetare, të mirat dhe resurset financiare të shoqërisë i trajtojmë njësoj si vendet më të prapambetura të Afrikës e Azisë, vende që në pjesën dërrmuese udhëhiqen nga despotë e kolonelë! Pikërisht krah këtyre vendeve na ka rreshtuar organizata prestigjoze amerikane(me seli në Uashington) për “Mbikqyrjen për një buxhet transparent” në raportin e saj final për vitin 2008. Kjo organizatë është shumë autoritare dhe shumë bashkëpunuese edhe me autoritetet studimore dhe shtetërore amerikane, ndërsa për llogari të saj punojnë emra të njohur të financës ndërkombëtare. Deri më sot, kjo organizatë nuk ka konkurente për nga studimi dhe vlerësimi i buxheteve në nivel ndërkombëtar, raportet dhe konkluzionet e saj merren si etalon nga shumë qeveri dhe organizata perëndimore. Në këto rrethana logjikisht rezultatet e kësaj organizate vlejnë të trajtohen seriozisht, sidomos në rastin e Shqipërisë, e cila rezulton e renditur në vendet e “botës së katërt”, për nga “masakrimi” që qeveria jonë i ka bërë buxhetit për vitin 2008.
Renditja
Janë gjithsej 85 shtete objekt i këtij studimi. Për renditjen e tyre ekzitojnë pesë kategori. Shqipëria bën pjesë tek kategoria e katërt. Nga referencat spjeguese mbi tiparet e shteteve që bëjnë pjesë në këtë kategori, rezulton se të gjitha këto shtete kanë dy tipare gati gati të frikshme. Tipari i parë lidhet me raportin që ekziston mes ekzekutuesit të programit buxhetor dhe mbledhësit të taksave. Për të gjitha shtetet e kategorisë së katërt vlerësohet se ekziston një moskuptim i thellë i konfliktit të interesit që ekziston në këto raprte. Pra e thënë më shkoqur del se në këto shtete(ku bëjmë pjesë dhe ne) qeveria është vetë zot e vetë shkop. Këto qeveri cilësohen në konflikt interesi, pasi në praktikat perëndimore është e pakonceptueshme që Kryeministri(në cilësinë e njeriut kryesor të qeverisë buxhet-hartues-shpërndarës) të jetë njëkohësisht edhe taksambledhës edhe taksashpërndarës! Raporti vlerëson se në mënyrë kategrike ky fakt është një minus i madh për vendet që funksionojnë në këtë konflikt interesi, pasi vlerësohet se në një rend logjik dhe të drejtë taksash, ato duhet ti mbledhë një autoritet jo politik, por thellësisht profesional , ndërsa ekzekutivi politik duhet të bëjë rishpërndarjen e tyre në bazë të programit që ka aspiruar para taksapaguesve. Problemi i dytë i madh që kanë këto vende lidhet me metodologjinë e shpërndarjes së të ardhurave nga qeveritë. Nga raporti del se në realitet vendet e këtij grupi, në thelb nuk kanë fare një metodologji standarde dhe të paprekshme nga qeveritë, ndërsa mungesa e kësaj të fundit i shkakton dëme dhe humbje shumë të mëdha vendit pasi gjithë rishpërndarja i lihet në dorë ekzekutivit, i cili nga ana e tij nuk imponohet nga asnjë metodologji, që do ta pengonte që të investonte apo të rishpërndante taksat jashtë një rendi logjik dhe social të mirëpërcaktuar dhe të gjithëpranuar!
Problemet
Janë pikërisht këto dy probleme që cilësohen si më themeloret për vendet që bëjnë pjesë në grupin e katërt. Por këto vende kanë edhe të tjera karakteristika negative, që kryesisht janë pasoja të dy problemeve themelore që janë karakteristikë e këtij grupi shtetesh ku bëjmë pjesë edhe ne. Raporti sqaron se mungesa e këtyre dy shtyllave të rëndësishme ka bërë që automatikisht dhe kontrolli dhe dijenia e institucioneve të tjera por sidomos e taksapaguesve mbi rishpërndarjen e taksave kombëtare të jetë në nivele shumë të ulëta. Një rëndësi i është kushtuar kontrollit që parlamenti ka mbi strategjitë dhe politikat e taksave kombëtare, pasi për këto vende ose nuk ekziston fare një strategji e fortë kontrolluese, ose ekziston por formalisht dhe pa forcën e duhur bllokuese në rast të prekjes së strategjive shkencore që lidhen mbi shpërndarjen e taksave kombëtare. Një tjetër çështje e theksuar në raport është dhe mungesa e interpretimit të shifrave buxhetore dhe detajimi i tyre në një nivel të prekshëm dhe të kuptueshëm përgjithësisht. Nga ky konkluzion kuptohet qartë se qeveria shqiptare përveçse e trajton si pronë të sajën vetinë taksapaguese të shqiptarëve, ajo gjithashtu trajton si një “libër të kodifikuar” dhe të palexueshëm dhe buxhetin e shqiptarëve.

BOX
Berisha në kurthin e 123 pyetjeve elementare

Raporti i “Organizatës për mbikqyrjen për një buxhet transparent”, pasi ka nxjerrë renditjen dhe konkluzionet e tij, ka hedhur dritë dhe mbi metodologjinë që ajo përdori për të arritur në konkluzione si dhe mbi natyrën dhe qëllimin e pyetësorit që u drejtoi qeverive të 85 shteteve. Mjafton të lexosh këtë spiegim të organizatës për të kuptuar se prej vitesh Shqipëria dhe shqiptarët janë në kurthin e një retorike financiare boshe dhe të pakuptimtë të qeveritarëve të tyre. Ekspertët e këtij raporti theksojnë se “ ...ne u drejtuam subjekteve 123 pyetje të ndryshme. Raporti nuk vuri në dyshim të dhënat e ofruara nga zyrtarët. Të gjitha pyetjet ishin ndërtuar në mënyrë që të kapnin lehtësisht dhe dallueshëm natyrën e fenomeneve dhe të trajektores së përgjithshme financiare dhe jo të rasteve të izoluara specifike. Kur dërguam pyetjet ne kërkuam prova nga zyrtarët për të argumentuar pretendimet e tyre kryesore. Raporti është bazuar në vlerësimin e kollonave themelore të sistemit kombëtar të taksave dhe ka trajtuar thelbin e fenomeneve dhe jo domosdoshmërisht të dhëna specifike”, - shkruhet në përshkrimin e Organizatës Prestigjoze. E, megjithatë ndonëse për një organizatë prestigjoze në Uashington mjaftuan thjesht dhe vetëm 123 pyetje elementare, rezultati e nxori Shqipërinë diku në Afrikë ap në Azi. Kryeministri Berisha vetëm tre javë më parë ndezi një konflikt artificial me vartësit e tij lidhur me rritjen ekonomike(6 apo 9 përqind) ndërsa në sytë e ekspertëve ndërkombëtarë, pikërisht ai, kryeministri ynë që pretendon rritjen 9 përqind, shifet si një zyrtar në konflikt të thellë interesi me taksapaguesit e vendit të tij. Kjo situatë të kujton përshkrimin e famshëm të gazetës “The Economist” në vitin 1997, ku gazeta shprehej se : “ Shqipëria edhe këtë vit pati një rritje prej 5 përqind,, ndonëse këtë vit ndryshe nga vitet e tjera njerëzit bredhin rrugëve me kallashnikovë në krah”!

BOX
Renditja e transparencës dhe trajtimit të buxheteve sipas kategorive

1. Me shumë transparencë (81-100 pikë)
Franca, Zelanda e Re, Afrika e Jugut, Mbretëria e Bashkuar e Anglisë, Shtete e Bashkuara të Amerikës

2. Me transparencë domethënëse(61-80 pikë)
Brazili, Republika Çeke, Gjermania, Norvegjia, Peruja, Polonia,
Rumania, Sllovenia, Korea e Jugut, Sri Lanka, Suedi

3. Me transparencë rreth dhe nën mesatares(41-60 pikë)
Argjentina, Bangladeshi, Bosnje Hercegovina, Bullgaria, Kolumbia,
Kosta Rica, Kroacia, Egjipti, Gjeorgjia, Gana, Guatemala, India, Indonezia,
Jordania, Kenia, Maqedonia, Meksika, Namibia, Nepali, Papua e Guinesë së re,
Filipinet, Rusia, Serbia, Turqia, Uganda, Ukraina, Zambia

4. Me transparencë kritike minimale(21-40 pikë)
Shqipëria, Azerbaixhani, Ekuadori, El Salvadori, Kazakistani, Libani, Malaui,
Malajazia, Mongolia, Moroku, Nigeria, Pakistani, Tanzania, Tailanda,
Trinidad dhe Tobago, Venezuela

5. Me transparencë të ulët ose të munguar(0-20 pikë)
Afganistani, Algjeria, Angola, Bolivia, Burkina Faso, Kamboxhia, Kameruni,
Çadi, Kina, Repulika Demokratike e Kongos, Republika Domenikane,
Guinea Ekuatoriale, Fixhi, Honduras, Repulika Kirkize, Liberia, Nikaragua,
Nigeria, Ruanda, Principata e Shën Tomesë, Arabia Saudite, Senegali, Sudani,
Vietnami, Jemeni.

7 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›