Raporti i Venecias e ODIHR: Votat e gabuara të numërohen
“Kodi, shprehimisht të adresojë problemin e votave të hedhura në kutinë e gabuar”. Fletë votimi të tilla mund të vendosen në një grumbull të veçantë në tavolinë e numërimit dhe të numërohen pas përfundimit të numërimit të të gjitha kutive”
Numërimi i votave të gjetura në kutitë e gabuara në zgjedhjet për pushtetin vendor në Bashkinë e Tiranës më 8 maj, pavarësisht se është bërë pa një bazë ligjore, konsiderohet si një veprim i drejtë. Kjo lihet të kuptohet nga opinioni i përgatitur nga Komisioni i Venecias dhe ODIHR-it, për një sërë pyetjesh të shtruara për shqyrtim për problematikat e hasura në procesin e zgjedhjeve vendore në Shqipëri, nga Sekretari i Përgjithshëm i KiE-së, Jagland. Në projekt-opinionin e hartuar nga dy anëtarë dhe një ekspert i Komisionit të Venecias, si dhe një ekspert i ODIHR-it, trajtohen çështjet më të nxehta të debatuara jo pak në muajt e shkuar nga politika shqiptare, si dhe jepen opsionet përkatëse për mënyrën sesi mund të zgjidhen këto çështje, ku ndër më kryesoret renditen: trajtim i votave të gabuara, polarizimi politik i administratës zgjedhore, trajtimi i kutive të konsideruara të rregullta dhe që më vonë konstatohen të dëmtuara, si dhe nxjerrja e rezultatit.
Votat e gabuara
Në projektin e hartuar nga dy anëtarë dhe një ekspert i Komisionit të Venecias, si dhe një ekspert i ODIHR-it, një hapësirë e konsiderueshme i është kushtuar edhe çështjes së votave të gabuara, e cila në zgjedhjet e 8 majit në Tiranë solli një debat të gjatë, çka u bë shkak edhe për konflikte mes dy palëve konkurruese në këto zgjedhje. “Nuk është e pazakontë, - thuhet në këtë opinion, - që fletët e votimit janë hedhur gabimisht në kutinë e votimit të gabuar brenda të njëjtës qendre votimi. Kodi dështon, - theksohet në këtë opinion, - në adresimin e problemit të numërimit të votave, të cilat ishin vendosur gabimisht nga votuesit në kutitë e gabuara. As nuk saktëson gjithashtu çështjen e KQZ-së mbi udhëzimet lidhur me këtë qëllim. Vendimi i KQZ-së, - thuhet në këtë opinion, - çoi në një polarizim edhe më akut të funksionimit të KQZ-së, si dhe në ankesat që shoqëruan gjithë procesin”. Pavarësisht kësaj, Komisioni i Venecias dhe OSBE/ODIHR-it rekomandojnë që “Kodi, shprehimisht të adresojë problemin e votave të hedhura në kutinë e gabuar”. Gjithashtu, “të përcaktojë një procedurë të qartë për pajtimin dhe përfshirjen e fletëve të votimit të hedhura në kutitë e gabuara në rezultatin që do të dalë. Për shembull, fletë votimi të tilla mund të vendosen në një grumbull të veçantë në tavolinën e numërimit dhe të numërohen pas përfundimit të numërimit të të gjitha kutive të votimit nga qendra e votimit”, - thuhet në këtë opinion, teksa vlerësohet kështu si normale që votat e gabuara të trajtohen. Lidhur me këtë debat, Komisioni i Venecias dhe ODIHR-i shprehen se duhet dhe një rend tjetër i numërimit të kutive, sidomos për Tiranën, ku sipas tyre duhet që të katërta kutitë e një qendre votimi duhet të numërohen në të njëjtën kohë dhe pastaj të vijohet me një qendër tjetër. “Komisioni i Venecias dhe OSBE/ODIHR-i rekomandojnë që Kodi të sigurojë që të katërta kutitë e votave në Tiranë të numërohen në mënyrë të njëjtë me qendrat e votimit, si në të gjitha komunat e tjera”, - thuhet në opinion.
Kutitë e dëmtuara
Komisioni i Venecias dhe OSBE/ODHIR-i rekomandojnë që Kodi Zgjedhor të përcaktojë qartë se si KZAZ dhe Grupet e Numërimit duhet të procedojnë me votat dhe kutitë e materialeve zgjedhore, të cilat kanë qenë të rregullta, por që më vonë janë gjetur me probleme që tregojnë ose nxisin dyshime për parregullsi serioze. Kodi duhet të përcaktojë qartë kushtet që duhet të plotësohen që një kuti votimi të konsiderohet e rregullt pas marrjes në dorëzim. Gjithashtu, ekspertët japin sugjerime për ndryshime dhe përmirësime të shumë prej neneve, ndërmjet të cilave dhe ato që kanë të bëjnë me përcaktimin e rregullave që të garantojnë emërimin e shpejtë të anëtarëve të komisioneve zgjedhore, në rastet kur ata zëvendësohen, pra rregulla që të ndalojnë heqjen e tyre pa një arsyetim të qenësishëm. Gjithashtu, në këtë opinion nuk konsiderohet normale që në momentin e shortit për anëtarët e kolegjit zgjedhor, një gjykatës mund të refuzohet pa motivacion. Ekspertët janë të mendimit se në Kod duhet të gjenden zgjidhje për “eliminimin e boshllëqeve të tjera dhe paqartësive, për sa i përket për shembull, zbatimit të pragut në zgjedhjet vendore, kërkesat mbi përfaqësimin gjinor dhe ankimimet”.
Por për ekspertët, “sfida kryesore mbetet largimi nga përbërja aktuale e komisioneve zgjedhore të bazuara në ekuilibrin mes dy partive kryesore, drejt një administrate zgjedhore, ku të jenë përfshirë edhe elementë jopolitikë dhe të paanshëm. Ky ndryshim, – theksohet, - është i domosdoshëm nëse kërkohet të ulen polarizimi dhe konfliktet në administratën zgjedhore”. Duke iu referuar Kodit të Praktikave të Mira në Çështjet Zgjedhore, theksohet se “aty ku nuk ka një traditë të gjatë pavarësie të autoriteteve të administratës nga pushteti politik, komisionet në të gjitha nivelet duhet të jenë të pavarura dhe të paanshme”.