Kritikat ndaj Programit,Meidani: PS u tregua e dobët
Ish-presidenti i Republikës, Rexhep Meidani është përfshirë nga kryesocialisti Edi Rama në Këshillin Politik pa dijeninë e tij. I pranishëm dje në tryezën e organizuar për ndryshimet kushtetuese, Meidani nuk i ka shpëtuar dot interesit të medias, duke komentuar dhe zhvillimet politike në kampin socialist, teksa është shprehur me nota jo shumë optimiste për këtë strukturë të re të ngritur nga Partia Socialiste. “Në fakt, unë nuk kam qenë në Shqipëri. Nuk isha në dijeni, por nuk është post, nuk është zgjedhje. Është një mendim, nëpërmjet të cilit shprehet një dëshirë dhe unë nuk e quaj që ka ndonjë gjë të veçantë”, - tha Meidani. Gjithashtu, për shkak të moskonsultimit paraprak nga ana e kreut socialist para se ta përfshinte si pjesë e këtij këshilli, Meidani e ka pasur të vështirë të përcaktojë dhe rolin që do të luajë ai realisht në politikëbërjen e PS-së. “Unë nuk e di ç’do të thotë tryezë, nuk e di si është organizimi i kësaj strukture, por do të shohim si do të zhvillohen ngjarjet, do të shikojmë se çfarë roli, çfarë ndikimi mund të ketë, sepse mendimet tona ne i shpalosim, qoftë në mënyrë të drejtpërdrejtë, në takime individuale, qoftë edhe nëpërmjet medias. Kështu që do të shikojmë si do të funksionojë një institucion i tillë. Për të parën herë një institucion të ngjashëm ka ndërtuar presidenti Moisiu për çështje të ndryshme, për t’i diskutuar ato me specialistë. Natyrisht që jo gjithë kohën ai bënte takime me këshilltarët e urtë, por edhe takime individuale, qoftë përmes një thirrjeje për kafe bënte diskutimin e nevojshëm për çështje të veçanta”, - tha Meidani. Ndërsa kritikave që mori gjatë Kongresit të PS-së për qëndrimin që ai kishte shprehur lidhur me programin politik të hartuar prej kësaj force, Meidani u përgjigjet se “as më kanë bërë fare përshtypje. Absolutisht fare, madje treguan një dobësi shumë të madhe, dobësi shumë të madhe nga pikëpamja profesionale, sepse unë dhashë disa shifra dhe në vend që të bënin llogaritjet përkatëse përdorën një terminologji tjetër, për të cilën natyrisht nuk goditesha unë, goditej profesionalizmi i tyre”.