Schmitt-Topallit: Je në rrugën e duhur për t’u bërë presidente
Presidenti hungarez parashikon ngritje në karrierën e kryeparlamentares. “Herën e parë kur u takuam, unë isha kryetar parlamenti, tani jam president. Kjo është rruga e duhur për t’u bërë president”
Presidenti i Hungarisë Pál Schmitt i uron kryeparlamentares Jozefina Topalli një karrierë edhe si presidente e Shqipërisë. Në fakt ka qenë një dëshirë e shprehur nga kreu i shtetit hungarez për kryeparlamentaren Topalli, për të ndjekur rrugën e tij politike për të kaluar ashtu si ai, nga kryetar parlamenti në President. “Ju takoj me shumë kënaqësi, kjo është hera e tretë që ju takoj. Herën e parë kur u takuam unë isha kryetar parlamenti, tani jam president. Unë them që kjo është rruga e duhur për t’u bërë president”, - mësohet të jetë shprehur Pál Schmitt. Të paktën kështu kanë konfirmuar për gazetën MAPO burime diplomatike, ndërkohë që në njoftimin zyrtar të Kuvendit të Shqipërisë nuk flitet për një gjë të tillë. Duket se edhe kryeparlamentares Topalli i ka pëlqyer ky urim, pasi zyrtarisht nga stafi i kryetares, i kontaktuar dje, as e kanë pohuar dhe as e kanë mohuar një gjë të tillë. Pavarësisht kësaj, kryeparlamentarja vetëm pak kohë më parë, e pyetur gjatë një emisioni televiziv pohoi se do të mbaronte mandatin e saj si kryetare e Kuvendit, i cili mbaron në verën e vitit 2013, ndërkohë që Presidenti i ri duhet të zgjidhet në fillimverën e vitit të ardhshëm. Ndërmjet të tjerave, në takimin e saj me kreun e shtetit hungarez mësohet se Topalli e ka ftuar atë që të jetë i pranishëm në festimet që do të zhvillohen vitin tjetër me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, ftesë e cila duket se është pranuar nga Schmitt. “Pas takimit, në një intervistë për median, Presidenti i Hungarisë, Pál Schmitt tha se “është hera e tretë që takohemi dhe nga ana ime si President i Republikës, kam marrëdhëniet më të mira të mundshme. Po planifikoj vizitën time në Shqipëri gjatë festimit të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë”. Gjithashtu, pjesë e axhendës së kryeparlamentares Topalli ka qenë dhe një takim i rezervuar nga Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orbán, me të cilin diskutoi për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik në nivele edhe më të larta, duke përfshirë bashkëpunimin në fushën e energjetikës, infrastrukturës, bujqësisë, dixhitalizimit dhe rritjen e investimeve hungareze në Shqipëri. Viti i ardhshëm shënon 90-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve tona dhe ky përvjetor është shumë i veçantë, pasi përkon edhe me 100- vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Ndaj në këtë kuadër, Kryeministri Orban dhe kryetarja e Kuvendit, ndanë ide për organizimin e disa evenimenteve të rëndësishme në Hungari dhe në Shqipëri, si një moment për të promovuar Shqipërinë dhe imazhin e saj. Gjatë takimit, duke u ndalur në bashkëpunimin ekonomik, Kryeministri Orban tha se “duhet të ngremë sa më parë një komision të përbashkët ekonomik, që do të fokusohet në investimet në infrastrukturë, bujqësi, në promovimin e turizmit etj”. Kryeministri i Hungarisë, Orban vlerësoi si shumë të rëndësishme për situatën në të cilën ndodhen ekonomitë e BE-së, hapjen e këtij bashkimi dhe jo mbylljen ndaj prurjeve të reja, siç mund të jetë dhe rasti i Shqipërisë. “Unë jam besimtar, - tha ai, - se edhe në këto momente krize në eurozonë, duhet të shohim si zgjidhjen më të mirë hapjen dhe jo mbylljen e BE-së. Unë do vazhdoj të mbështes Shqipërinë dhe kjo është bindja ime e brendshme”, - theksoi Orban.
Fejzi Braushi