E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reja vullkanike i afrohet Shqipërisë.

Anulohen shumica e fluturimeve nga Aeroporti i Rinasit në drejtim të Europës

Reja vullkanike që ka pezulluar fluturimet ajrore në të gjithë kontinentin, mbërriti në kufijtë e Shqipërisë veriore gjatë mbrëmjes së djeshme, sipas një harte të përgatitur nga Instituti i Studimeve Ambientale në Universitetin Aahrus në Danimarkë dhe që u publikua nga The New York Times. Drejtori i Autoritetit të Transportit Ajror Ervin Mazniku deklaroi dje në mbrëmje se po e monitoron nga afër situatën dhe se sipas të dhënave të tij, reja vullkanike ka mbërritur deri në atë moment, (ora 19.00) në rajonin e Vojvodinës në Serbi.

Bllokimi i qiejve të Europës nga reja e padukshme e silicit të shpërndarë në atmosferë nga një vullkan në Islandë, mbërriti gjatë ditës së djeshme edhe në Shqipëri, ku aeroporti i vetëm i vendit u detyrua të anulojë fluturimet e planifikuara për shumicën e destinacioneve në Europën Qendrore dhe Veriore.

“Janë anuluar fluturimet direkte për në Londër, Budapest, Vjenë, Munih, Shtutgart, Bolonjë, Milano, Trevizo, Verona, Frankurt, Ljubljanë, Rimini, Genova, Torino dhe Prishtinë, për shkak të hirit në zonën e Islandës si rrjedhojë e vullkanit që shpërtheu ditën e mërkurë më 14 prill 2010”, njoftoi dje Aeroporti i Tiranës. Avionët e linjave Romë, Bari, Athinë dhe Stamboll, vijuan punën edhe dje, për shkak se këto destinacione nuk janë prekur ende nga reja vullkanike, e cila megjithëse përbëhet nga grimca pothuajse të padukshme nga syri, është në gjendje të bllokojë motorët e aeroplanëve.

Shumë shqiptarë mësohet se janë bllokuar prej ditësh në aeroporte të ndryshme të botës nga ndalimi i fluturimeve. Mes tyre është edhe Kryeministri Sali Berisha me stafin e vet, i cili udhëtoi me rrugë tokësore nga Brukseli në Vjenë për të kapur një avion për në Tiranë, por mbërriti me vonesë, pasi edhe Aeroporti i Vjenës u mbyll të premten. Reja e rrezikshme që gjendet në lartësi shtatë deri në dhjetë mijë metra mbi tokë, ka mbërritur aktualisht në Hungari e Rumani dhe ekspertët ndërkombëtarë parashikojnë se mund të vijë edhe më poshtë në Ballkan. Një teori apokaliptike e raportuar nga media ndërkombëtare, është që fluturimet ajrore në Europë mund të bllokohen për disa muaj, në rast se vullkani Eyjafjallajokull, ose Mali i Akullt, do të vijojë të shpërthejë. Ekspertët nuk janë në gjendje të bëjnë asnjë parashikim se kur do të shpërbëhet reja e padukshme, por shumica thonë se problemet do të vijojnë së paku deri në fillim të javës tjetër.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›