E Shtunë, 31 Tetor 2026

8 Marsi, festë dhe tubime për të drejtat e grave

09/03/2010 Shoqata “Në Dobi të Gruas Shqiptare”

Për të respektuar çdo grua që jeton në Shqipëri, çdo nënë që rrit dhe edukon një fëmijë, çdo femër që di të falë dhe të ushqejë dashuri, shoqata “Në Dobi të Gruas Shqiptare” ka organizuar gjatë ditës së djeshme një sërë aktivitetesh, duke shpërndarë mesazhe për mbrojtjen e të drejtave që duhet të gëzojë kjo kategori. Përveç tubimeve të zhvilluara në hyrje të zonës së ish-bllokut, është zhvilluar edhe një koncert, ku janë përzgjedhur për të performuar vetëm gra. E veçanta e këtij viti në organizimet e zhvilluara nga kjo shoqatë ishte lëshimi i mesazheve të shumta nga ajri, ku në qiellin e kryeqytetit ka fluturuar edhe një helikopter, nga i cili personalitete të njohura të jetës publike në vend, burra dhe gra kanë lëshuar fletushka që përcjellin mesazhe të forta njerëzore, që kërkojnë respektimin e të drejtave dhe lirive të grave, si pjesë e respektimit të të drejtave dhe lirive të njeriut. Posterat e shoqatës “Në Dobi të Gruas Shqiptare”, që mbartin mesazhe të fuqishme në emër të gruas, janë shpërndarë në të gjithë zonën. Sipas përfaqësuesve të shoqatës, me këto organizime synohet që edhe më indiferentët, ata që ndoshta mendojnë shumë pak për të drejtat e grave, të bëhen pjesë e punës dhe luftës ndërgjegjësuese. Gjithashtu urime të shumta janë shpërndarë edhe nga drejtuesit e dikastereve qeveritare, që janë zotuar në mbrojtjen dhe përkrahjen më shumë të kësaj kategorie. Dikasteret qeveritare premtojnë shtimin e grave në forcat e tregut të punës

Urimi për 8 Marsin, prioritet punësimi i grave

Festa e gruas edhe këtë vit është shoqëruar me premtimin se politikat qeveritare do të jenë në mbështetje të tyre, veçanërisht kundrejt përfshirjes në tregun e punës. Në vëzhgimet e bëra nga subjekte të ndryshme joqeveritare pohohet se gjatë viteve të fundit përfshirja e femrave në tregun e punës po bëhet gjithnjë më e vështirë, fakt ky që është shoqëruar edhe me shtimin e numrit të grave të identifikuara si të papuna.

Pjesa veriore dhe verilindore e vendit raportojnë të kenë shkallën më të lartë të papunësisë, veçanërisht për gratë. Duke iu referuar këtyre vështirësive, ku rezulton se ka ardhur në rritje numri i grave të papuna, ministri i Punës Spiro Ksera është shprehur se prioritet i këtij institucioni do të jetë nxitja e punësimit të kësaj kategorie nëpërmjet programeve që do të financohen nga shteti me buxhet të veçantë. “Çdo vit buxheti i shtetit vë në dispozicion të këtyre programeve mesatarisht 200 milionë lekë të reja, që përkthehen në punësim të rreth 2500 personash vetëm nga këto programe, nga të cilët 80 për qind janë gra”, - ka deklaruar Ksera gjatë ndarjes së urimeve për festën e 8 Marsit. Gjithashtu ministri ka deklaruar se do të ndërmerren masa ndëshkuese që sanksionohen nga ligji “Për barazinë gjinore në shoqëri” si dhe Strategjia Kombëtare për Barazinë Gjinore për shfaqje të diskriminimit në tregun e punës, ndaj mungesës së respektimit të të drejtave të grave në jetën politike, ekonomike e sociale. Sipas Kserës, aksioni kombëtar për garantimin gjithnjë e më të mirë të të drejtave të grave është duke u përqendruar në hartimin dhe plotësimin e kuadrit të nevojshëm politiko-ligjor, atij institucional, ngritjes së kapaciteteve, ndërmarrjes së fushatave ndërgjegjësuese, monitorimin në vijimësi të procesit.“Falë përpjekjeve të bëra në këtë drejtim dhe veçanërisht hartimit dhe implementimit të ligjit “Për barazinë gjinore në shoqëri” dhe Kodit Zgjedhor lidhur me kuotën gjinore u arrit që në zgjedhjet e fundit parlamentare përfaqësimi i grave të rritet nga 7 për qind në 16 për qind, duke shënuar progresin e parë në këtë drejtim”, - u shpreh ministri. Në aktivitetin e organizuar me rastin e 8 Marsit merrnin pjesë dhe diplomatë të huaj, kryetari i Delegacionit të Komisionit Evropian Helmut Lohan dhe ambasadori spanjoll Manuel Montobio.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›