Raporti negativ, Kukan: Shqipëria humbi dhe 1 vit

Eduard Kukan, kryetar i Delegacionit të PE, për Europën Juglindore në një intervistë për Deutsche Welle-n thekoi se liderët politikë në Shqipërisë nuk janë të përfshirë në dialogun politik, përmes të cilit do të gjendeshin zgjidhje për t`i dhënë fund krizës dhe stanjacionit të gjatë politik. Sipas tij kjo mungesë dialogu është arsyeja kryesore që Shqipëria nuk po shënon progres.
“Se çfarë qëndron pas këtij qëndrimi kokëfortë të dy partive kryesore, nuk mund ta di. Ajo që di është, që partia qeverisëse ka ofruar shumë propozime të cilat janë refuzuar nga partia opozitare dhe po kështu ka bërë së fundmi edhe kreu i opozitës, Edi Rama, por ende nuk ka një dialog politik mes tyte. Ndofta kjo situatë është pasojë e kulturës politike në Shqipëri. Kjo kulturë duhet të eci drejt kulturës politike europiane, e cila u jep zgjidhje pikpamjeve të ndryshme dhe mosmarrëveshjeve mes forcave politike përmes dialogut dhe kompromisit. Kjo është e vetmja rrugë, në mënyrë absolute, nuk ka rrugë tjetër. Pra, është e nevojshme që Shqipëria të përqafojë kulturën politike, që kanë të gjitha vendet anëtare të BE, të përqafojë mënyrën europiane për zgjidhjen e konflikteve dhe mosmarrëveshjeve sepse kjo është në interes të vendit”, thekosn Kukan.
Sipas kryetarit të Delegacionit të PE-së dialogu, kompromisi dhe vënia e interesave të vendit mbi ata partiakë nga ana e politikanëve drejtues janë mesazhe konstante, të përsëritura nga institucionet europiane, përfshirë këtu edhe Parlamentin Europian dhe kjo është një përgjegjësi e madhe.
I pyetur se a ka ndonjë sinjal positive për Shqipërinë Eduard Kukan thekson se: “Kohët e fundit ka disa zhvilime të reja inkurajuese: opozita është kthyer në parlament dhe ka bërë disa propozime që Parlamenti Europian i inkurajon. Këto mund të jenë shenja të mira që klima politike në Shqipëri po fillon të ndryshojë. Por ne duam më shumë prova, ne duam të shohim që parlamenti, që është institucioni demokratik për të bërë betejat politike, po funksionon normalisht, që deputetët marrin pjesë në seancat e tij, që secili mer pjesë në votim e kështu me radhë. Duket se në Shqipëri ende nuk janë krejt të sigurtë që ky është funksionimi i qëndrushëm dhe jetëgjatë demokratik i Parlamentit. Ne duam prova që ky lloj funksionimi i Parlamentit të kuptohet. Ka sinjale të mira nga Shqipëria për Europën, se gjërat po ndryshojnë.