E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti për Shqipërinë nesër në PE: Situata politike asnjë ndikim në procesin e liberalizimit të vizave

Parlamenti Evropian bën thirrje për shmangien e çdo tendence të eurodeputetëve për të marrë në konsiderim ngërçin politik si alibi për vizat


UPDATE- Eurodeputeti grek Nikolaos Chountis prezanton nesër para deputetëve të Parlamentit Evropian, raportin për Shqipërinë. Në draftin e tij Chountis evidenton progresin e Shqipërisë në rrugën e integrimit, ndërsa përmend dorëzimin e kërkesës për statusin kandidat si një moment të rëndësishëm, për afrimin me strukturat evropiane. Përsa i takon liberalizimit të vizave, hartuesi i raportit për Shqipërinë, Chountis thekson se është bërë një punë e mirë në drejtim të plotësimit të kushteve dhe se pritet të zbarkojë në Shqipëri një grup i ekspertëve të Komisionit Evropian. Lidhur me ngërçin politik, europarlamentarët kanë theksuar se kjo është një çështje që i përket klasës politike shqiptare dhe se nuk ka asnjë ndikim në heqjen e vizave.


Komisioni për politikën e Jashtme në Parlamentin Evropian vendosi sot pasdite shqyrtimin dhe miratimin e raportit për integrimin evropian të Shqipërisë, në seancën e nesërme. Gjatë diskutimeve ne komision, u paraqitën dy qëndrime një i Partisë Popullore Evropiane dhe një i socialistëve evropianë. PPE-të gjykuan se në Shqipëri situata politike nuk është ekstreme dhe kësisoj procesi i integrimit duhet të vazhdojë normalisht, duke shtuar se raporti do të votohet gjatë ditës së nesërme. Ndërsa qëndrimi i Partisë Socialiste dhe i grupit të liberalëve, është që t’i jepet edhe një shans më shumë mazhorancës dhe opozitës, për të gjetur një zgjidhje lidhur me ngërçin politik. Sipas eurodeputetëve nuk do të ishte frytdhënëse shtyrja e votimit të raportit për integrimin, pasi siç u shprehën ata në këto kushte është më tepër e domosdoshme që t’i jepet hov përpjekjeve të qeverisë, në rrugën e saj drejt afrimin me strukturat evropiane.


Eurodeputetja gjermane Doris Pack Nuk ka asnjë arsye që të shtyhet miratimi i raportit. Rama duhet të heqë dorë nga kutitë. Shqipëria nuk është një vend i Lindjes së Mesme, nuk është duke qeverisur Hamasi, por një qeveri legjitime me një lidership si kryeministri Sali Berisha. Në Shqipëri, ka ligje ka edhe një kushtetutë, askush nuk mund t’i kërkojë një qeverie që të hapë kutitë e votimit dhe as që të thyejë ligjin. Shqipëria ka përmbushur udhërrëfyesin e vizave dhe do të ishte e pafalshme që vendi të mbahej peng nga interesat e disa politikanëve. Nuk është e drejtë që të shtyhet miratimi i raportit. Ne do ta kalojmë atë seancën e radhës të parlamentit evropian.


Eurodeputeti grek dhe hartuesi i raportit për integrimin evropian të Shqipërisë, Nikolaos Chountis Nuk ka kuptim të shtyhet raporti për integrimin evropian të Shqipërisë. Qytetarët shqiptarë nuk kanë pse të penalizohen nga situata politike në Shqipëri, prandaj atyre u duhet dhënë e drejta e qarkullimit të lirë në hapësirën evropiane “Schengen”, në mënyrë afatshkurtër. Mesa duket ngërçi politik nuk do arrihet të kapërcehet. PPE-të kanë mbështetur qëndrimin e mazhorancës dhe qeverisë dhe raporti do të votohet nesër.


Eurodeputeti Libour Rouçek Rezoluta është shumë e rëndësishme për Shqipërinë. Ne vendosëm gjatë pasdites dhe rezoluta do votohet nesër. Ne jemi të informuar për situatën politike në Shqipëri dhe më duhet të them se në Parlamentin Evropian ka pozicione të ndryshme të grupeve politike lidhur me rezolutën, duke ditur që ka një ngërç politik atje.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›