E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Raporti për lirinë fetare, DASH: Në Shqipëri marrëdhëniet ndërfetare janë pozitive, problem rikthimi i pronave

Departamenti Amerikan i Shtetit publikoi raportin vjetor për gjendjen e lirisë fetare në botë gjatë vitit 2022, ku një kapitull I veçantë I është kushtuar edhe Shqipërisë. 

Në Shqipëri, Kushtetuta parashikon lirinë e fesë. Ai përcakton se nuk ka fe zyrtare dhe shteti është neutral në çështjet e besimit, por njeh barazinë dhe pavarësinë e grupeve fetare dhe ndalon diskriminimin në bazë të fesë. 

Qeveria njeh zyrtarisht 5 komunitetet fetare, Komunitetin Mysliman Shqiptar, Komunitetin Mysliman Bektashi, Kishën Katolike, Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare dhe Vëllazërinë Ungjillore të Shqipërisë, dhe i njeh këto grupe si komunitetet kryesore fetare të vendit dhe adresojnë rikthimin e pronave dhe çështjeve të tjera të rregulluara me ligj.

Në raport theksohet se “edhe pse njeh 5 komunitete fetare me ligj, qeveria u jep mbështetje financiare katër prej këtyre komuniteteve fetare, por jo Vëllazërisë Ungjillore apo grupeve të tjera fetare si Dëshmitarët e Jehovait”.

Problem sipas raportit të DASH mbetet çështja e rikthimit të pronave , të marra gjatë periudhës së komunizmit.

“Pesë komunitetet fetare me marrëveshje me qeverinë vazhduan të shprehin shqetësimin për kthimin e vonuar të pronave të sekuestruara nën regjimin e mëparshëm komunist. Agjencia Shtetërore e Kadastrës raportoi probleme me kthimin e pronave tek komunitetet fetare, duke deklaruar se kjo ishte kryesisht për shkak se pronat ishin të uzurpuara me ndërtesa të tjera të ndërtuara ligjërisht dhe ilegalisht dhe tha se kompensimi në natyrë ishte i kufizuar nga prona e pamjaftueshme në dispozicion”, thuhet në raport.

Lidhur me marrëdhëniet ndërfetare në raporti cilësohet se të 5 komunitetet fetare thanë se ishin pozitive. 

“Dëshmitarët e Jehovait thanë se kishte një mbulim negativ mediatik të grupit, për të cilin ata thanë se buronte nga mungesa e statusit të tij si një organizatë fetare e njohur zyrtarisht. Sipas Dëshmitarëve të Jehovait, çështjet penale dhe civile të shpifjes që ata ngritën kundër katër kompanive mediatike në vitin 2021 mbetën të pazgjidhura në gjykatë”, thuhet në raport

Për zgjidhjen e problemit të kthimit të pronave, gjatë vitit 2022 edhe Ambasada e SHBA u kërkoi zyrtarëve qeveritarë të përshpejtojnë trajtimin e pretendimeve për pronën dhe të kthejnë ndërtesat e grupeve fetare dhe pronat e tjera të konfiskuara gjatë epokës komuniste.  

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›