E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raporti për vizat, i dorëzohet qeverisë

"Kjo shënon mbylljen e historisë së ekspertëve që do të vijnë për të parë ecurinë e çështjes së vizave"

Komisioni Europian do t'i dorëzojë së shpejti qeverisë shqiptare raportimin e ekspertëve
për kushtet shtesë mbi liberalizimin e vizave të Shqipërisë me vendet e Bashkimit
Europian. Lajmi bëhet i ditur nga kryetari i komisionit të Jashtëm, Fatos Beja, i cili theksoi se raporti i ekspertëve në Bruksel i 25 korrikut do t'i kalojë qeverisë shqiptare për procedurë. Në këtë mënyrë, sipas tij, i hapet rruga përfundimtare procedurave të mëtejshme të institucioneve europiane në muajin shtator. Brenda këtij muaji, Komisioni Europian do të hartojë raportin përfundimtar për heqjen e vizave dhe që ka për qëllim informimin e 27 vendet anëtare mbi përmbushjen e kritereve nga shteti shqiptar për liberalizimin e vizave. Ky raport, do shqyrtohet nga dy komisione parlamentare në Parlamentin Europian, që do të kalojë më pas për votim në seancën plenare të këtij institucioni europian. Kryetari i komisionit të Jashtëm në Kuvendin e Shqipërisë sqaron gjithashtu se ky raport do t'i çohet qeverisë shqiptare, e cila gjatë muajit gusht, mund të bëjë dhe komentet e saj rreth tij. E rëndësishme, sipas tij, është se konstatimet e ekspertëve europianë kanë qenë në përputhje me deklarimet e qeverisë për realizimin nga Shqipëria të kushteve, që u shtuan së fundi. Në të njëjtën kohë që raporti diskutohet në Parlamentin Europian, ky dokument do të diskutohet në zyrat e Bashkimit Europian. "Kjo shënon dhe mbylljen e histories së ekspertëve që do të vijnë në Shqipëri për të parë ecurinë e çështjes së vizave, ndërsa hap siparin tjetër në shtator me diskutimin në Komisionin e Çështjeve të Brendshme, që pritet të jetë rreth datave 5-6 shtator", sqaroi
procedurën Fatos Beja. Me nisjen e punës në Parlamentit Europian, në fillim të shtatorit,
do të fillohet dhe diskutimi mbi liberalizimin e vizave për vendin tonë. Deputeti i Partisë Demokratike bën të ditur se më 21-23 shtator pritet të mbahet sesioni plenar i Parlamentit Europian, ku mund të diskutohet dhe njëkohësisht mund të ketë një takim të ri të Komisionit të Jashtëm të PE-së. "Me zhvillimin e këtyre procedurave procesi i liberalizimit të vizave për Shqipërinë shkon drejt përfundimit të marrjes së vendimit dhe hyrjes në fuqi të tij, në pak muaj", u shpreh kreu i komisionit të Jashtëm në Kuvendin e Shqipërisë, Fatos Beja. Më 26 maj, Kolegji i Komisionerëve në Bashkimin Europian miratoi pa diskutime rekomandimin për liberalizimin e vizave me Shqipërinë dhe Bosnjën. Rekomandimi është pozitiv, ndonëse në të cilësohen si kushte të domosdoshme përmbushja e kritereve të mbetura nga të dyja vendet për këtë proces. Për heqjen e regjimit të vizave, nga Shqipëria kërkohet të aplikojë një strategji për riintegrimin
e të riatdhesuarve, të realizojë zbatimin me efikasitet të kuadrit ligjor për sa i përket luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe të sigurojë zbatimin e efektshëm të ligjit të 2009-ës për konfiskimin e pasurive kriminale.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›