Konflikt për shtëpinë, vëllai vret vëllain
Proshka masakroi të vëllain me automatik në oborrin e banesës, grindja mes tyre për një shtesë shtëpie
Autori i krimit u dorëzua në polici dhe fillimisht iu tha bluve se kishte vrarë të vëllain aksidentalisht
Rrogozhinë- Vëllai masakron me automatic vëllain, në Rrogozhinë, pas grindjes për shtesën e re të shtëpisë që një prej vëllezërve po tentonte të ndërtonte pranë shtëpisë së të vëllait.
Ngjarja e rëndë ndodhi dje në orën 11:30, në lagjen nr.1 të qytetit, kur sipas burimeve të policisë, Dashnor Proshka, 39 vjeç, në gjendje të dehur, qëlloi me breshëri automatiku të vëllain e tij Pëllumb Proshkën. Ky i fundit mësohet se jetonte në Angli, ku ishte emigrant prej vitesh ndërsa kishte ardhur rreth një javë më parë për t'u interesuar për shëndetin e babait të tij.
Madje në Angli ai mësohet se kishte lënë edhe gruan dhe fëmijët, pasi kishte qëllim të kthehej shumë shpejt. Pas krimit autori i vrasjes së vëllait u vetëdorëzua në polici, në gjendje të dehur bashkë me armë, ku fillimisht ai iu kishte pohuar punonjësve të komisariatit të Kavajës se kishte vrarë aksidentalisht të vëllain, duke pastruar armën.
Por mbërritja e policisë në vendin e ngjarjes dhe hetimet e kryera prej saj zbuluan se rasti nuk ishte një vrasje aksidentale e ndodhur në kohën kur po pastronte armën, por një krim i ndodhur për motive të dobëta pas një konflikti pronësie. Blutë e Kavajës, arrestuan, autorin e dyshuar të krimit, 39 vjeçarin, Dashnor Proshka, me akuzën e vrasjes me dashje dhe armëmbajtjes pa leje.
Konflikti
Javën e kaluar, viktima kishte mbërritur në Shqipëri, për të marrë vesh për gjendjen shëndetësore të të atit, Shyqyri Proshka, i cili sipas burimeve vuante nga një sëmundje e Prostatës, por ndërkohë ai ka shfyrtëzuar edhe rastin që ngjitur me shtëpinë e tij dhe të vëllait të ngrinte një shtesë për të zgjeruar hapësirat e banimit.
Por ky veprim ka shkaktuar reagimin e të vëllait, i cili nuk pranonte që ndërtimi të bëhej pranë banesës së tij. Ky konflikt ka shkaktuar debate dhe dje në mëngjes, kur Dashnori kishte pirë që herët dhe kishte nisur të debatonte me të vëllain.
Në oborrin e shtëpisë së tyre, kanë qenë edhe vëllai tjetër Fatbardhi, si dhe nëna e tyre Zadja. Në debat e sipër Dashnori i komunikoi vëllait se kjo gjendje nuk do zgjaste shumë dhe u largua në drejtim të banesës së tij. Në pak minuta, Dashnori u kthye sërish në oborr me një automatik duke derdhur breshëri të tëra mbi të vëllain.
Vëllavrasja
Policia pohoi se Dashnor Proshka kishte derdhur mbi të vëllain thuajse një krëhër me fishekë duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Në oborrin e shtëpisë, në momentin e ngjarjes, sipas burimeve të policies, ndodheshin edhe vëllai dhe nëna e tyre të cilat thuajse nuk kanë mundur të ndalojnë Dashnorin të masakrojë Pëllumbin, i cili mbeti i vdekur në vend nga plagët e rënda të marra nga të shtënat e të vëllait.
Pas krimit i vëllai u dorëzua në polici, ku fillimisht deklaroi se kishte vrarë aksidentalisht të vëllain. Por në vendin e ngjarjes, policia gjeti viktimën të masakruar me plumba në kokë dhe në trup e të shpërfytyruar.
Kjo i krijoi bindjen policisë se ngjarja nuk ishte aksidentale, por e qëllimshme. Në vendin e ngjarjes, policia administroi më tepër se 20 gëzhoja plumbash dhe shumë predha të qitura nga arma e autorit të krimit.
Policia pas marrjes në pyetje të autorit të krimit, dhe pjesëtarëve të tjerë të familjes, konkludoi se ngjarja kishte ndodhur për shkaqe pronësie. Vetë i dyshuari për krimin, pasi i kishte dalë pija pranoi krimin e rëndë ndërsa ndihej i penduar për atë që kishte kryer, por tashmë ishte tepër vonë për këtë. Vëllavrasësi u izolua në komisariatin e Kavajës, ndërsa pritet që sot ose nesër t'i komunikohet masa e sigurisë deri në fund të hetimit