Raporti për zgjedhjet, ndan në dy kampe KQZ
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shtyn miratimin e raportit vjetor që duhet të paraqitet në Kuvend. Shkak i shtyrjes është bërë kërkesa e anëtarit të KQZ-së, përfaqësuesit të majtës, Artan Laze, për të paraqitur disa propozime të tij për t’u bashkangjitur në raportin përfundimtar. Sipas tij, në hartimin e projekt-raportit nuk ka pasur konsulta paraprake ndërmjet 7 anëtarëve të KQZ-së, të cilët i përkasin si përfaqësues të propozuar nga partitë e majta dhe të djathta të politikës. Anëtari i KQZ-së, Artan Lazaj u shpreh se pas njohjes me raportin ka përgatitur një material të tij dhe ua ka paraqitur anëtarëve për ta studiuar dhe më pas për t’ia bashkangjitur dokumentit final. Kërkesa e Lazajt është pranuar nga ana e kryekomisionierit Arben Ristani, i cili ka bërë të ditur shtyrjen e vendimit për miratimin e këtij raporti, i cili duhet paraqitur në Kuvend me datën 20 shkurt. KQZ-ja ra dakord me konsensus që materiali shtesë i Lazajt të shqyrtohet në mbledhjen e ditës së sotme. Raporti paraprak i shpërndarë nga kreu i KQZ-së, theksohet se “në zgjedhjet pararendëse, pavarësisht problemeve, ishin arritur disa prej standardeve të kërkuara, por njëherazi ishte dëshmuar se shpesh interesi politiko-elektoral kishte dominuar interesin dhe detyrimin për të respektuar kornizën ligjore që garanton një proces të lirë, të ndershëm e demokratik. Mbi bazën e kësaj eksperience, ishim të ndërgjegjshëm se në përballimin e një sfide kaq të rëndësishme, përtej të gjitha përpjekjeve të institucionit tonë, qëndronte domosdoshmëria e vullnetit të mirë politik”. “Pavarësisht aspiratës për t’i treguar botës një shembull të zgjedhjeve demokratike, nota e arbitrit ndërkombëtar për procesin “se edhe pse këto zgjedhje përmbushën shumicën e angazhimeve ndaj OSBE-së, këto zgjedhje nuk realizuan plotësisht potencialin e Shqipërisë për t’iu përmbajtur standardeve më të larta për zgjedhje demokratike”, nuk ishte vlerësimi aq shumë i pritur dhe i dëshiruar”, thuhet në raportin e KQZ-së. Në këtë draft thuhet se “procesi i numërimit të votave, në pjesën më të madhe të tij shkoi në përputhje me përcaktimet e Kodit dhe udhëzimet e nxjerra nga KQZ-ja, por gjithsesi ky proces u karakterizua nga disa bllokime të pajustifikuara nga ana e komisionerëve të ZAZ-ve, por dhe nga anëtarët e grupeve të numërimit të votave”. Ndërsa si tepër shqetësuese, KQZ-ja e cilëson ndryshimin e shpeshtë të komisionerëve. “Ngritja e KQV-ve edhe në këto zgjedhje u shoqërua me të njëjtën problematik, si edhe në zgjedhjet e kaluara, thuhet në raport. KQZ kërkon ndryshimin e ligjit për listat e zgjedhësve. “Për të mos krijuar probleme në përgatitjen e logjistikës zgjedhore mendojmë se afatet për përgatitjen e Listës së Zgjedhësve duhet të ndryshohen. Konkretisht, lista përfundimtare duhet të jetë miratuar jo më vonë se 35 ditë para datës së zgjedhjeve dhe jo më vonë se 30 ditë nga data e zgjedhjeve të jenë dërguar të dhënat përkatëse në KQZ”.