E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pranga të dashurës së Haki Miskës



LIBRAZHD/ ALDO KOZARJA

Nuk ka dashur t'ia dijë fare Haki Miska, autori i katër vrasjeve se kërkohej nga Policia e Elbasanit. Pasi ka qëlluar për vdekje nënën e tij, mbrëmjen e 4 shkurtit, ka udhëtuar në këmbë për të shkuar në shtëpinë e së dashurës, Lefteri Alla. Policia e Librazhdit ka vënë dje në pranga me akuzën e strehimit dhe përkrahjes së autorit të krimit të 51-vjeçares. Mësohet se Alla, e divorcuar dhe Miska kishin prej vitesh lidhje intime. Sipas policisë, i shumëkërkuari Miska pesë ditët e fundit para arrestimit i kishte kaluar në shtëpinë e gruas, duke tentuar t'i fshihej policisë. Por, gjurmët e tij janë gjetur shpejt. Burime nga Drejtoria e Policisë së Elbasanit pohojnë se Haki Miska është fotografuar prej së largu nga ana e agjentëve. Dy ditët e fundit, ata kishin gjetur vendndodhjen e të kërkuarit për vrasje dhe e vëzhgonin atë me anë të dylbive, duke dyshuar se ai mund të ishte i armatosur. Janë këto provat bindëse, veç dëshmisë që ka dhënë autori, në lidhje me strehimin, të cilat e bëjnë dhe më të fortë akuzën ndaj 51-vjeçares Alla. Ndaj saj rëndon dhe akuza e "kryerjes së veprimeve" që pengojnë zbulimin e së vërtetës. Kanë mjaftuar akuzat ndaj saj që dosja nga policia t'i transferohet Prokurorisë së Elbasanit. Vetë 51-vjeçarja, Lefteri Alla nuk ka bërë asnjë koment në lidhje me arrestimin. Mësohet se ajo e ka pranuar faktin e ndihmesës së Haki Miskës, në periudhën disaditore kur i fshihej prangave të policisë. Nga burime jozyrtare bëhet e ditur se gjatë marrjes në pyetje, Lefteri Alla ka pranuar të ketë lidhje intime me 50-vjeçarin, por ka mohuar në mënyrë kategorike që ajo të kishte dijeni për krimet e mëparshme të tij apo të kishte bashkëpunuar me të. Sipas policisë, gruaja ka strehuar në banesën e saj Miskën, duke e ushqyer dhe furnizuar me rroba. Kjo lidhje mes dy bashkëfshatarëve ekzistonte prej vitesh. Ndonëse gruaja kishte dijeni për vrasjen e nënës së Miskës, pasi policia e shpalli publikisht fajtor 50-vjeçarin, ajo tha se nuk dinte mbi krimet e tjera të kryera nga i dashuri i saj. Në vitet 1994-1995, Haki Miska, akuzohet dhe ka pranuar se ka vrarë gruan e tij për tradhti, personin me të cilën dyshonte se kishte lidhje si dhe njerkun e tij për motive pronësie.

Eshtrat e gruas drejt Tiranës
Një grup ekspertësh të Mjekësisë Ligjore nga Tirana mbërritën dje në fshatin Përvall të Librazhdit, ku bashkë me dy punonjës të varrezave publike të Elbasanit nxorën në sipërfaqe të gjitha eshtrat që sipas Haki Miskës i përkasin së shoqes. Me këtë rast janë marrë specialistë, për të mos dëmtuar gjatë punës materialet kockore, të cilat i përkasin Mimoza Miskës. Gruaja ishte 32 vjeçe, kur u qëllua për vdekje me mjete të forta, për t'u varrosur natën disa metra larg shtëpisë. Eshtrat do të qëndrojnë në morgun e Tiranës, derisa të mbarojë këqyrja e plotë e tyre. Po dje, me dhjetëra banorë të fshatit Përvall kanë dhënë dëshmi të tjera për policinë, duke treguar anën negative të Miskës dhe frikën që kishin prej tij pasi dyshonin se ai ishte protagonist në rastet e zhdukjes dhe vdekjes së 3 banorëve të fshatit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›