Aromë hashashi në burg,gardiani kapet me drogë
Drogë në burgun e Korçës, përfundojnë në pranga një gardian, motra dhe kushërira e një të paraburgosuri. Zbulimi i narkotikëve u bë i mundur mëngjesin e djeshëm, ku fillimisht u arrestua gardiani Denis Ismailiani, teksa po hynte brenda institucionit për të marrë detyrën, ndërsa pak minuta më vonë u kapën edhe dy femrat që kishin fshehur në pantallonat e familjarit të tyre hashash. Burime zyrtare nga ky burg bën të ditur dje se kanë kapur në flagrancë një efektiv të sigurisë së brendshme të burgut, teksa po futej brenda regjimit të sigurisë së lartë të këtij institucioni me një sasi hashashi. Polici e kishte fshehur lëndën narkotike mes dy palëve të çorapeve që kishte veshur, duke menduar se në këtë mënyrë do i shpëtonte kontrollit të kolegëve. I detyruar nga kontrollorët ai ka hequr çorapet dhe aty është zbuluar lënda narkotike, pas së cilës ai është vënë në pranga dhe i është dorëzuar Policisë së Korçës. Pak minuta më vonë, funksionarët e burgut janë njoftuar se në qemerin e pantallonave që do i dërgoheshin të paraburgosurit, Dritan Cenkollari, ishte fshehur një sasi lënde narkotike, e llojit hashash. Pas kësaj droga është nxjerrë që andej dhe i është dorëzuar prokurorisë, së bashku me dy vajzat që kishin sjellë lëndën narkotike, të cilat ishin motra dhe kushërira e të paraburgosurit. Burime nga Burgu i Korçës pohuan dje se prej disa kohësh, krerët e policisë së këtij institucioni kishin siguruar informacione në rrugë operative se brenda institucionit konsumohej drogë. Kjo ishte vërtetuar disa herë nga era e rëndë e tymit të hashashit, por kontrollet e shumta nëpër qeli nuk kishin mundur të zbulonin asgjë. Pas kësaj, autoritetet e burgut kishin urdhëruar kontrollin e rreptë të të gjithë punonjësve të sigurisë së institucionit dhe të dënuarve që hynin dhe dilnin nga burgu. Ende nuk dihet se cili është i dënuari i sigurisë së lartë në këtë burg, i cili priste lëndën narkotike që do i dërgonte gardiani në qeli. Po kështu ende nuk dihet se cilat janë dëshmitë e tre të ndaluarve, për të dy episodet, si dhe fakti nëse do mbahen nën arrest apo prokuroria do i lirojë për t'i hetuar në gjendje të lirë. fa.ma.