Raportimi nga vendngjarja/ Tragjedia në Postribë, detaje të reja për ngjarjen e rëndë ku humbën jetën nëna me dy fëmijët

Detaje të reja tronditëse kanë dalë në dritë lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur në zonën e Postribës, ku një zjarr i mori jetën 24-vjeçares Blerina Çobaj dhe dy fëmijëve të saj të mitur.
Në një raportim të drejtpërdrejtë nga vendi i ngjarjes për RTSH 24, gazetarja Merisa Gjoni solli të dhënat e fundit mbi rrethanat se si ndodhi ngjarja dhe vështirësitë e jashtëzakonshme të operacionit të shpëtimit.
Kthimi nga Gjermania dhe dëshmia e kryefamiljarit
Sipas informacioneve të siguruara nga gazetarja, familja Çobaj jetonte prej vitesh në emigrim dhe vizita në banesën e vjetër në Shkodër kishte qëllime mirëmbajtjeje.
“Familja Çobaj, e cila prej vitesh jetonte në Gjermani, kishte vetëm pak ditë që ishte kthyer në Shqipëri. Ndonëse rreth 22 vite më parë ata ishin zhvendosur në fshatin Golem, mëngjesin e sotëm kishin udhëtuar drejt banesës së tyre të vjetër në një fshat të thellë të Postribës, me qëllim për të kryer disa riparime në shtëpinë e pabanuar prej kohësh,” raportoi Gjoni.
Dinamika bëhet edhe më rënduese nga deklarimet e bashkëshortit të viktimës. Ai ka dëshmuar mes pikëllimit se ngjarja ndodhi në një hark kohor shumë të shkurtër. Teksa ishte larguar vetëm pak metra larg godinës për të marrë diçka, në momentin që është kthyer, e gjithë banesa ishte mbuluar nga flakët masive, duke e bërë të pamundur ndërhyrjen e tij për të shpëtuar familjen.
Operacioni i vështirë i emergjencave për shkak të terrenit
Një nga elementët më kritikë të kësaj ngjarjeje ka qenë zona e izoluar ku gjendej banesa dhe rruga e vështirë, gjë që ka vështirësuar maksimalisht punën e autoriteteve për t’u ardhur në ndihmë viktimave.
“Ndërhyrja e shërbimeve të emergjencës ka qenë tejet e vështirë për shkak të terrenit mjaft të thyer malor. Banesa ndodhej në një zonë të izoluar, rreth 35 deri në 45 minuta larg rrugës ku mund të kalonin automjetet. Për këtë arsye, efektivët e repartit zjarrfikës, policia dhe ekipet e urgjencës mjekësore u detyruan t’i linin mjetet e tyre dhe ta përshkonin të gjithë distancën në këmbë përmes një rruge tejet të ngushtë,” theksoi gazetarja gjatë raportimit të saj.
Hetimet paraprake dhe shkaqet e zjarrit
Sipas gazetares, më lidhje me shkaqet që çuan në këtë tragjedi, dyshimet e para të grupit hetimor dhe shërbimeve zjarrfikëse bien mbi një shpërthim të mundshëm të një bombole gazi brenda ambienteve të shtëpisë. Aktualisht, ekspertiza në vendngjarje po vijon për të dokumentuar saktësisht zanafillën e flakëve.
Sipas raportimit nga vendngjarja, banesa e vjetër ndodhej në një zonë pothuajse të pabanuar dhe të rrethuar nga shkurret. Kjo distancë ka bërë që zjarri, pavarësisht përmasave të tij shkatërruese, të mbetet i izoluar vetëm në perimetrin e shtëpisë së familjes Çobaj.
/rtsh.al/