Raportuesi i Kosovës, Terras: Antonio Costa të anulojë vizitën në Serbi

Raportuesi i Kosovës në Parlamentin Evropian Riho Terras ka bërë të ditur se ka marrë iniciativën së bashku me kolegët e tij në Parlamentin Evropian duke mbledhur nënshkrime për të kërkuar që presidenti i Këshillit të Bashkimit Evropian Antonio Costa të anulojë vizitën në Beograd më 13 maj.
“Është e papranueshme që presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, të marrë pjesë në paradën ushtarake të presidentit rus Vladimir Putin. Kjo pjesëmarrje është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me vlerat që Bashkimi Evropian mbron dhe tregon një mbështetje për gjenocidin që po ndodh në Ukrainë,” shkroi Terras në platformën X.
Terras vuri në dukje se veprime të tilla nuk mund të kalojnë pa pasojë, duke kërkuar që BE të mbajë qëndrim të fortë ndaj çdo akti që mund të minojë stabilitetin dhe vlerat evropiane.
Ndryshe, presidenti i ri i Këshillit Evropian, António Costa, do të ndërmarrë një vizitë zyrtare në të gjitha gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor gjatë javës së ardhshme, nga data 12 deri më 16 maj 2025, me qëllim forcimin e bashkëpunimit dhe riafirmimin e përkushtimit të Bashkimit Evropian ndaj rajonit.
Vizita kulmon më 16 maj në Tiranë, ku Presidenti Costa do të bashkë-organizojë Samitin e gjashtë të Komunitetit Politik Evropian (EPC).
/rtsh.al/