Raportuesi për Shqipërinë në PE, Schieder: Ruani vullnetin për reforma dhe nxitjen drejt BE-së

TIRANË, 30 janar/ATSH/ Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Andreas Schieder në një intervistë televizive u shpreh sot, se katër muaj para zgjedhjeve të 11 majit në Shqipëri, ka një panoramë të qartë të situatës politike në vend.
“Më duhet të them se këto zgjedhje do të jenë sfidë, pasi kemi një ligj të ri për diasporën dhe e dimë që shumë qytetarë shqiptarë janë jashtë, kështu që kjo do të jetë një sfidë teknike dhe administrative, por kam besim se të gjitha burimet janë të përgatitura mirë”, tha ai.
Raportuesi i PE thekson se rekomandimet e OSBE/ODIHR-it nuk u implementuan në ligjin zgjedhor, por sipas tij, në kaq pak kohë që ka ngelur përpara zgjedhjeve, nuk është momenti për të kërkuar kompromisin.
“Ndoshta para zgjedhjeve nuk është koha për të gjetur kompromisin, por pas zgjedhjeve, mendoj se është një ide e mirë të shikojmë rekomandimet e tjera për t’i zbatuar,” shtoi Schieder.
Zyrtari i lartë në Parlamentin Evropian vlerëson klimën politike në Shqipëri, por që sipas tij duhet punuar akoma nga forcat shqiptare për një kulturë politike më gjithëpërfshirëse.
“Mendoj se ka vend për përmirësimin e kulturës politike për të krijuar një mënyrë më të mirë diskutimi midis qeverisë dhe opozitës, midis politikanëve, e kështu me radhë,” u shpreh ai për “Klan tv”.
Eurodeputeti austriak vlerësoi edhe punën e SPAK, që sipas tij nuk ka bërë dallime në goditjen e rasteve të korrupsionit.
“Kemi parë edhe me SPAK-un, Prokurorinë e Posaçme, që shumë raste të bujshme kanë qenë ministra nga parti të ndryshme politike, ndaj askush nuk është falur. Mendoj se kjo ishte e rëndësishme që Evropa të kuptonte se ka një vullnet për ta bërë këtë, për të kuptuar se Shqipëria po transformohet,” theksoi ai.
Në fund të intervistës së tij, Schieder dha tre mesazhe për forcat politike dhe autoritetet shtetërore.
“Nëse do të më kërkonit ta them me një fjalë, do të thosha: ta ruani këtë ritëm, ruani nxitjen drejt Bashkimit Evropian, ruani vullnetin për reforma.”
/r.e/a.f/