Balla: Hekurudha Tiranë-Durrës-Rinas përfundon verën e ardhshme

TIRANË, 30 janar/ATSH/ Kuvendi nisi sot debatin mbi ndryshimet në marrëveshjen me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim për financimin e projektit për rindërtimin e linjës hekurudhore Tiranë-Durrës dhe ndërtimin e segmentit të ri që lidh Aeroportin e Rinasit.
Ndryshimi konsiston në shtimin e vlerës së huas, të akorduar fillimisht nga BERZH-i nga 36 870 000 në 77 570 000 euro. Pra, nëpërmjet kësaj marrëveshjeje ndryshuese do të akordohet një financim shtesë prej 40 700 000 eurosh për projektin në fjalë.
Kjo shtesë financimi do të ketë ndikim të konsiderueshëm në implementimin e projektit në tërësi, si edhe në vijueshmërinë dhe qëndrueshmërinë e tij gjatë procesit të shfrytëzimit të kësaj linje hekurudhore.
Projekti i rehabilitimit të linjës hekurudhore Tiranë – Durrës dhe ndërtimi i linjës së re hekurudhore për në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës ka për qëllim ndërtimin e një linje të re për në Aeroportin e Tiranës dhe modernizimin e linjës ekzistuese Tiranë – Durrës, nëpërmjet përmirësimit të infrastrukturës hekurudhore, në përputhje me standardet e BE-së të një rrjeti TEN-T, me qëllim rritjen e efikasitetit dhe sigurisë së transportit hekurudhor të mallrave dhe udhëtarëve përgjatë këtij segmenti hekurudhor.
Shtesa e huas, që parashikohet në këtë marrëveshje ndryshuese, do të shërbejë për ndërtimin e një elementi shumë të rëndësishëm dhe plotësues të projektit në tërësi, i cili nuk ka qenë parashikuar në projektin fillestar. Ky element përfshin ndërtimin e tetë godinave të stacioneve hekurudhore dhe sistemimin e shesheve të jashtme përgjatë linjës ekzistuese Durrës-Tiranë dhe të linjës së re që do të ndërtohet për në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, sipas të gjitha standardeve të zhvillimit të qëndrueshëm. Gjithashtu, do të financojë edhe shtesën e kostos së projektit, ardhur si pasojë e indeksimit të çmimeve të materialeve ndërtimore.
Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla tha se hekurudha do të përfundojë verën e vitit të ardhshëm.
/r.e/a.f/