Rasmusen: Pakistani do t`i hapë rrugët për NATO-n

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen, thotë se “shpreson” se rrugët e furnizimit të NATO-s nga Pakistani për në Afganistan do të rihapen së shpejti.
Këto komente ai i bëri sot në kryeqytetin e Australisë, Kanberra, pasi Shtetet e Bashkuara këtë javë i përfunduan bisedat me Pakistanin pa marrëveshje për rihapjen e rrugëve, që ishin mbyllur që prej sulmit ajror të NATO-s, në nëntor të vitit të kaluar ku u vranë 24 ushtarë pakistanezë.
Deri tani, NATO-ja ka arritur marrëveshje me Uzbekistanin, Kirgizinë dhe Kazakistanin, për të lejuar tërheqjen e pajisjeve ushtarake nga Afganistani.
Rasmusen, megjithatë tha se alternativat nëpër Azinë Qendrore mund të paraqiten më të shtrenjta se sa opsioni pakistanez.
Ai ka premtuar se NATO-ja nuk do të lëshojë “vakuum të sigurisë” pasi të tërhiqen 130 mijë trupa të udhëhequra nga aleanca nga Afganistani, deri në fund të vitit 2014.