E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rasmussen: Do ta mbrojmë Turqinë nëse është e nevojshme

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen ka thënë se Turqia mund të mbështetet në solidaritetin e NATO-s, duke shtuar se aleanca ushtarake i ka “të gjitha planet e nevojshme për ta mbrojtur dhe përkrahur Turqinë, nëse paraqitet nevoja”.

Rasmussen i bëri këto komente sot në Bruksel, para një takimi me ministrat e mbrojtjes së NATO-s.

Bisedimet dy-ditore vijnë në kohën kur tensionet ndërmjet Sirisë dhe anëtares së NATO-s, Turqisë, janë në rritje.

Ushtria turke në vazhdimësi po ndërmerr sulme hakmarrëse ndaj Sirisë, e cila po i bombardon fshatrat kufitare me Turqinë.

Ndërkohë, Rasmussen ka folur edhe për situatën në Afganistan.

“Armiqtë e Afganistanit po bëjnë përpjekje që ta nënvlerësojnë progresin që e kemi arritur në ndërtimin e sigurisë atje, si dhe në ndërtimin e forcave afgane. Por ne nuk do t`i lejojmë që të kenë sukses”, ka thënë Rasmussen.

Ai shtoi se NATO do të vazhdojë të jetë e përkushtuar në arritjen e qëllimeve dhe zbatimin e strategjive në Afganistan.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›