Rasmussen viziton sot Kosovën
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, mbërrin sot për një vizitë në Kosovë. Sipas axhendës së vizitës, Rasmussen do të takohet me Komandantin e KFOR-it, Gjeneral-Lejtnant Giuseppe E. Gay dhe do të vizitojë trupat e KFOR-it. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s gjithashtu do të zhvillojë takime me presidentin Fatmir Sejdiu, kryeministrin Hashim Thaçi dhe Ministrin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Fehmi Mujota. Në fund, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s do të takohet edhe me përfaqësuesit kyç të komunitetit ndërkombëtar dhe me udhëheqësit lokalë politikë. Ai gjithashtu do ta vizitojë selinë kryesore të Task Forcës Shumëkombëshe në Novosellë. Zyra e shtypit të KFOR-it, bën të ditur se Rasmussen do të takohet edhe me përfaqësuesit e mediave në Aeroportin Ushtarak në mbrëmje. Vizita në Kosovë përbën vizitën e dytë të Rasmussen në një vend ku NATO është e angazhuar në një mision paqeruajtës, pas udhëtimit të javës së kaluar në Afganistan. Vizita e tij e parë në Prishtinë vjen vetëm dy javë pas marrjes së detyrës së shefit të ri të NATO-s duke zëvendësuar holandezin Jaap de Hoop Scheffer. Gjatë konferencës së parë për shtyp dy javë më parë në Bruksel, Rasmussen bëri publike planet e tij për ridimensionimin e pranisë së Aleancës atlantike në Kosovë. "Brenda mandatit tim, synoj që KFOR të reduktohet në një forcë të vogël ose të tërhiqet plotësisht", deklaroi ai gjatë konferencës. Misioni i KFOR-it në Kosovë numëron rreth 15 mijë ushtarë. Më 10 qershor ministrat e Mbrojtjes së NATO-s ranë dakort për reduktimin gradual të trupave të KFOR-it duke nisur nga fundi i këtij viti. Reduktimi i parë do të arrijë deri në 10 mijë trupa dhe gjatë dy viteve të ardhshëm do të arrijë deri në 2300 trupa.