E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rasmussen vlerëson rolin e Shqipërisë

Në konferencën për shtyp, Rasmussen, vlerësoi kontributin e Shqipërisë për paqen në Kosovë dhe Afganistan.

“Misioni ynë në Afganistan është sfidues, por strategjia jonë është përcaktuar dhe ne po shënojmë përparim të qëndrueshëm. Me mbështetjen tonë, forcat afgane janë në rrugën e duhur për të marrë përsipër përgjegjësinë e plotë për sigurinë e tyre deri në fund të vitit 2014. Ne vlerësojmë përpjekjet e Shqipërisë për bashkimin e burimeve stërvitëse së bashku me Kroacinë dhe vendet e tjera të rajonit në kuadër të Kartës së Adriatikut. Në Kosovë NATO-ja ka mbi një dekadë që është garantuesja e sigurisë dhe qëndrueshmërisë. Ne kemi zbatuar mandatin tonë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në të mirë të mbarë popullit në Kosovë dhe nuk do të lejojmë që të nëpërkëmbet ky mandat”, theksoi Rasmussen. Kreu i NATO-s, vlerësoi rolin e Shqipërisë në rajon si dhe angazhimin për mbrojtjen inteligjente. 

Nga ana e tij, Presidenti Nishani, u shpreh se Shqipëria kërkon zgjerimin e NATO-s me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.  “Ne do të vazhdojmë të mbështesim fuqishëm politikën e dyerve të hapura të bindur se ajo i kontribuon një Evrope më të sigurt e më të begatë. Diskutuam edhe për ISAF-in në Afganistan dhe për procesin e tranzicionit atje ku trupat shqiptare janë të përfshira prej kohësh. Shqipëria do të vazhdojë të ndjekë kursin e Aleancës për aq kohë sa të jetë e nevojshme, edhe pas vitit 2014. Ne do t’i bindemi parimit se “së bashku u futëm në mision dhe së bashku do të dalim” dhe jemi gati të ndajmë barrën me aleatët e tjerë. Në përfundim diskutuam gjithashtu edhe për zbatimin e vendimeve të Çikagos, në veçanti ato për Nismën e forcave të bashkuara dhe “Mbrojtjen e Zgjuar” dhe ramë dakord që zhvillimet ekonomike botërore nuk duhet të na bëjmë që të harrojmë detyrimet e sigurisë. Një bashkëpunim i ngushtë dhe zbatim i shpejtë i vendimeve të Çikagos janë në mirën e Aleancës dhe në veçanti të kombeve të vogla”, tha Nishani. /Start/

                                                                                             2012-09-19 08:43
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›