E Enjte, 5 Nëntor 2026

Rast i murtajës afrikane të derrave në Shqipëri, MBZHR merr masa të menjëhershme

TIRANË, 27 nëntor /ATSH/ Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural informon se kampionet e dërguara nga kadavra të derrave të egër dhe të kryqëzuar, prej Shërbimit Veterinar Rajonal të Qarkut Lezhë, në Laboratorin e Referencës – Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, sot në datën 26.11.2024, kanë rezultuar pozitive me testin konfirmator RT – PCR, për praninë e sëmundjes së Murtajës Afrikane të Derrave.

Në një njoftim për shtyp, MBZHR thekson se, në vijim të rastit Alert, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka marrë menjëherë masat për hyrjen në fuqi të Urdhrit të Ministrit “Për marrjen e masave kufizuese për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjes së Murtajës Afrikane të Derrave” dhe ngritjen e Qendrës Kombëtare të Krizës.

Sipas MBZHR-së Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve kanë nisur marrjen e masave për: Përcaktimin e zonës mbrojtëse me rreze 3 kilometra dhe zona e mbikëqyrjes me rreze 10 kilometra rreth fshatit Mali i Rencit, Njësia Administrative Shëngjin, në koordinatat me gjatësi 41.82835 dhe gjerësi 19.57711, në të cilën janë konstatuar derrat e ngordhur, të konfirmuar për praninë e Murtajës Afrikane të Derrave, me testin e RT – PCR.

Regjistrimin e pronarëve të derrave dhe regjistrimin e përgjithshëm të popullatës së derrave në zonat 3 dhe 10 kilometra rreth fshatit Mali i Rencit, Njësia Administrative Shëngjin.

Mbarështimin e të gjithë derrave dhe mbajtjen e ushqimit të tyre në zonat e mbrojtjes dhe mbikëqyrjes në mjedise të mbyllura.

Ekzaminimin e përditshëm klinik të derrave në këto zona dhe të gjitha fermave industriale të derrave dhe rezultatet duhet të mbahen në protokolle.

Ndalimin e lëvizjes për çdo derr të gjallë, mishit të freskët të derrave dhe produkteve të mishit të derrave që vijnë nga zonat mbrojtëse dhe të mbikëqyrura.

Marrjen e kampioneve për testime laboratorike për Murtajën Afrikane të Derrave nga të gjithë derrat shtëpiakë dhe të egër që zbulohen të ngordhur, në këto dy zona.

Identifikimin e fermave industriale të derrave, në zonat e mbrojtjes dhe mbikëqyrjes dhe zbatimin nga fermerët të masave të biosigurisë në fermat e derrave.

Ndalimin e tregut të derrave në zonat perimetrale 3 dhe 10 kilometra, rreth fshatit Mali i Rencit, Njësia Administrative Shëngjin.

Dezinfektimin e mjeteve që hyjnë ose dalin në zonat mbrojtëse dhe të mbikëqyrjes, vendosjen e sinjalistikës e posterave informues në hyrjet e fermave të prekura dhe qendrat e komunave.

MBZHR i bën thirrje pronarëve të kafshëve të zbatojnë masat karantinore dhe të biosigusisë, veterinerëve privatë, teknikëve veterinarë, drejtuesve të njësive të qeverisjes vendore, punonjësve e shërbimit pyjor dhe gjuetarëve, që në rast dyshimi apo prani të shenjave klinike në derra të informojnë menjëherë Shërbimin Veterinar Rajonal në numrin e gjelbër 08003366 ose në rrugë zyrtare në adresën e e-mail-it: info@akvmb.gov.al.

MBZHR njofton qytetarët se Murtaja Afrikane e Derrave nuk është një sëmundje që prek njeriun, mirëpo ajo përbën një rëndësi të madhe për ekonominë dhe shëndetin e popullatës së derrit, në vendin tonë.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›