INSTAT: 354 leje ndërtimi në 3-mujorin e tretë, kryesojnë Durrësi dhe Tirana

TIRANË, 27 nëntor/ATSH/ Në tremujorin e tretë të këtij viti janë miratuar gjithsej 354 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, nga 361 leje të miratuara në tremujorin e tretë 2023, duke shënuar një ulje prej 1,9%.
INSTAT publikoi raportin mbi lejet e ndërtimit për periudhën korrik-shtator, sipas të cilit, sipërfaqja e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa të reja, në tremujorin e tretë 2024 është 814 340 m2, nga 455 181 m2 miratuar në tremujorin e tretë 2023, duke shënuar një rritje prej 78,9%.
Në tremujorin e tretë 2024, vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa dhe punime inxhinierike është 33,3 miliardë lekë, nga 18,9 miliardë lekë miratuar në tremujorin e tretë 2023, duke shënuar një rritje prej 76,1%.
Të dhënat e INSTAT-it tregojnë se nga 354 leje ndërtimi të dhëna gjatë tremujorit të tretë, 266 prej tyre janë për banim dhe 12 për hotele. 18 leje janë dhënë për ndërtesa tregtare, 31 leje janë dhënë për ndërtesa industrial dhe 3 leje për zyra.
Durrësi dhe Tirana vijojnë të mbeten qytetet kryesore me numrin më të lartë të lejeve të ndërtimit të miratuara me respektivisht 125 dhe 100 leje.
1 nga 3/a.f/r.e/